RTSH Sport Live

Kombëtarja U18, gati për miqësoren me Italinë

  • 06/08/2022
  • |
  • Kombëtarja
Kombëtarja U18, gati për miqësoren me Italinë
Trajneri Ardi Behari ka shpallur listën e lojtarëve për ndeshjen e 11 gushtit që do të luhet në Koverçano

Kombëtarja e 18-vjeçarëve do të nisë përgatitjet në prag të miqësores me Italinë U18, që do të luhet në Koverçano më 11 gusht, ora 10:30. Trajneri i kuqezinjve, Ardi Behari ka bërë të ditur dhe emrat e lojtarëve që janë thirrur për këtë sfidë. Nga 21 lojtarë të thirrur, 12 vijnë nga klubet shqiptare, ndërsa 9 nga klubet e huaja.

Njoftimi i FSHF-së:

Edhe Kombëtarja U-18 do të nisë grumbullimin në kuadër të miqësores me Italinë U-18, që do të luhet më datën 11 gusht në ora 10:30 në qendrën e Koverçanos në vendin fqinj. Departamenti i Komunikimit në FSHF njofton se trajneri Ardi Behari ka shpallur tashmë edhe listën me emrat e 21 lojtarëve që janë ftuar për këtë test të rëndësishëm.

Nga lojtarët që do të grumbullohen, 12 prej tyre aktivizohen me klube shqiptare, ndërsa 9 vijnë nga klube të huaja. Pjesa më e madhe e tyre kanë qenë vazhdimisht pjesë e ekipeve Kombëtare të moshave U-16 dhe U-17 e tashmë bëhen gati për të treguar vlerat me synimin për të kaluar në Kombëtaren U-19 dhe më lart.

Ekipi Kombëtar U-18 do të udhëtojë këtë të shtunë drejt Italisë dhe do të akomodohet në qytetin e Firences së bashku edhe me Kombëtaren U-19, që do të zhvillojë një miqësore me Italinë U-19 më 10 gusht po në Koverçano. Ashtu si edhe vitin e kaluar, Shqipëria U-18 do të luajë miqësore me Italinë U-18 në muajin gusht, teksa stafi teknik kuqezi e vlerëson si një mundësi mjaft të mirë për të parë gjendjen reale të lojtarëve të talentuar të kësaj grup-moshe dhe për të parë rritjen e tyre të vazhdueshme.

Tekniku Behari ka ftuar edhe disa elementë të rinj për t’u dhënë shansin që të tregojnë se çfarë janë të aftë të bëjnë. Gjatë këtij viti ekipi Kombëtar U-18 ka zhvilluar shumë seleksionime dhe miqësore, duke monitoruar kështu vazhdimisht nga afër të gjithë lojtarët e këtij brezi dhe duke u dhënë mundësi që të fitojnë mundësinë për t’u ngjitur në ekipet zinxhir kuqezi.