RTSH Sport Live

Kombëtarja U20 mundet edhe nga Kroacia

  • 25/09/2022
  • |
  • Kombëtarja
Kombëtarja U20 mundet edhe nga Kroacia
Pasi u mundën nga Maqedonia e Veriut, kuqezinjtë kishin të njëjtin fat dhe në miqësoren e dytë

Kombëtarja shqiptare U-20 ka luajtur pasditen e sotme miqësoren e dytë të planifikuar të muajit shtator ndaj Kroacisë U-20,  ku kuqezinjtë u mundën me rezultatin 3-1.

Sfida u zhvillua në Kroaci, ashtu sikurse edhe ndeshja e parë përpara dy ditësh ndaj Maqedonisë së Veriut. Dy miqësore tepër të vlefshme për nën 20 vjeçarët dhe stafin kuqezi, pavarësisht rezultateve të regjistruara.

Kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Alban Bushi zbritën në fushë me këtë formacion: Klidman Lilo (GK), Geralb Smajli, Mario Mitaj, Leonard Frroku, Adrion Pajaziti, Eljon Toçi, Medon Berisha (C), Elmando Gjini, Ergi Goga, Behar Ismaili.

Në këtë ndeshje të dytë miqësore, skuadra kuqezi u ndëshkua shumë shpejt, që në minutën e 11-të të takimit, me kroatët që kalojnë në avantazh. Shifrat u barazuan shumë shpejt me Stiven Shpendin, në minutën e 20-të, me futbollistin shqiptar që realizoi një gol shumë të bukur.

Barazimi zgjati pak, teksa vendasit gjetën edhe dy herë të tjera rrugën e rrjetës brenda pjesës së parë, ndërsa në 45 minutëshin e dytë, rezultati nuk ndryshoi. Trajneri Bushi aktivizoi edhe lojtarët e tjerë të grumbulluar në fraksionin e dytë, duke i parë më nga afër dhe në lojë direkte cilësitë e tyre.

Kroatët fituan me shifrat 3-1, në një sfidë që siç u theksua edhe më sipër i shërbeu stafit të ekipit U-21 të shihte dhe të ketë mundësinë që në grumbullimet e ardhshme të përzgjedhë edhe lojtarët që do të përfaqësojnë Shqipërinë U-21 në kualifikueset e ardhshme.