RTSH Sport Live

Kombëtarja U20 zbarkon në Kroaci

  • 22/09/2022
  • |
  • Kombëtarja
Kombëtarja U20 zbarkon në Kroaci
Kuqezinjtë e trajnerit Bush përgatiten për dy sfidat miqësore të 23 dhe 25 shtatorit

Kombëtarja e Nën-20-vjeçarëve në futboll ka mbërritur në Kroaci, aty ku po zhvillon edhe përgatitjet për dy ndeshjet miqësore ndaj bashkëmoshatarëve të Kroacisë dhe Maqedonisë së Veriut. Trajneri Alban Bushi ka bërë disa ndryshime të detyruara të listës për shkak të probleme fizike të disa prej lojtarëve të përzgjedhur prej këtij për këto ndeshje. Kësisoj, Paulo Buxhelaj, Marcelino Preka, Aldi Gjumsi, Fabian Shahaj nuk ia kanë dalë dot të jenë të gatshëm pasi nuk janë rikuperuar në kohë dhe nuk kanë udhëtuar me skuadrën.

Ndërkaq, me grupin është bashkuar edhe sulmuesi Eljon Toçi, i cili u stërvit disa ditë me Kombëtaren e të rriturve dhe do të jetë në dispozicion të Kombëtares së Nën-20-vjeçarëve për këto sfida. Pjesa tjetër e grupit gëzon gjendje të mirë dhe skuadra është stërvitur normalisht në Kroaci. Stafi teknik pas pasur disa ditë në dispozicion për të përgatitur këto dy miqësore, teksa atmosfera duket shumë e mirë dhe ka optimizëm për një paraqitje të mirë në fushë.

Më datë 23 shtator, Shqipëria e kësaj grupmoshe do të luajë sfidën e parë me Nën-20-vjeçarëte  Maqedonisë sëVeriut. Kjo ndeshje do të luhet në stadiumin e Cakovecit duke nisur nga ora 16:30. Dy ditë më pas, më datë 25 shtator në ora 16:30, po në këtë stadium do të luhet edhe testi i dytë i Shqipërisë së Nën-20-vjeçarëve ndaj Kroacisë.

Me këtë ndeshje do të mbyllet edhe grumbullimi 8-ditor i ekipit kombëtar kuqezi me trajnerin Bushi dhe stafin e tij teknik që do të kenë mundësinë të shohin nga afër gjendjen e lojtarëve të kësaj grup-moshe si dhe të vëzhgojnë futbollistët e rinj që mund të jenë pjesë e ekipit për herë të parë.