Përfaqësuesja kuqezi e 21-vjeçarëve ka pësuar një humbje 4-0 në miqësoren e zhvilluar në transfertë përballë Bullgarisë. Pas ndeshjes kundër Andorrës, në sfidën e parë të kualifikueseve Euro 2023, të fituar me rezultatin 3-0, të besuarit e trajnerit Bushi kanë patur mundësinë të eksperimentojnë.
Gjithsesi, kjo nuk e justifikon faktin që kanë pësuar katër gola, aq më tepër që tre prej tyre i pësuan në fillimin e sfidës, në harkun kohor të 11 minutave(Shopov 2′ , 11′, S.Petrov 5′). Në pjesën e dytë, Bullgaria shënoi dhe golin e katërt me një 11-metërsh të Nikolov në minutën e 68-të.
Në këtë miqësore, për kuqezinjtë u aktivizuan shumë lojtarë që vijnë nga kampionati shqiptar. Gjithsesi, në asnjë moment nuk kanë mundur të përballojnë kundërshtarin, i cili u tregua superior në çdo drejtim, duke e bërë gjithçka të lehtë dhe në fund rezultati final është 4-0.