RTSH Sport Live

Komisioni i Disiplinës dënon Apoloninë dhe zyrtarin e Laçit

  • 13/01/2021
  • |
  • Futboll Vendi
Komisioni i Disiplinës dënon Apoloninë dhe zyrtarin e Laçit
Zyrtari i Laçit, Naim Halilaj, për sjellje josportive, është pezulluar me dhjetë javë. Apolonia është penalizuar me 200 mijë lekë gjobë si dhe duhet të dëmshpërblejë dëmet e shkaktuara në “Elbasan Arena”

Komisioni i Disiplinës, pranë FSHF-së, ka marrë disa masa gjatë mbledhjes së sotme, për gjithçka ka ndodhur në javën e fundit në futboll. E ka pësuar Naim Halilaj, zyrtari i Laçit, për sjellje jo sportive ndaj zyrtarit të ndeshjes. Gjobë 200 mijë lekë për Apoloninë, për sjellje të gabuar të lojtarëve, si dhe duhet të dëmshpërblejë për dëmet e shkaktuara në dhomat e zhveshjes në “Elbasan Arena”. Nuk kanë munguar masat ndëshkimore dhe te skuadrat e moshave.

Vendimet e Komisionit të Disiplinës:

  1. FK Apolonia, për sjellje të gabuar të lojtarëve, në bazë të neneve 64/1, 64/4 dhe 64/5 të KDS, dënohet me gjobë në masën 200.000 (njëqind mijë) lekë.

FK Apolonia, urdhërohet të dëmshpërblejë dëmet e shkaktuara në dhomat e zhveshjes në Stadiumin “Elbasan Arena” sipas akt konstatimit, brenda 15 ditëve.

  1. Zyrtari i KF Laçi, Naim Halilaj, për sjellje josportive ndaj zyrtarit të ndeshjes, në bazë të nenit 48/2/a të KDS, dënohet me 10 (dhjetë) ndeshje pezullim nga aktiviteti. Në zbatim të nenit 19 të KDS, zyrtarit i ndalohet qëndrimi në dhomat e zhveshjes, stolin e rezervave dhe ambientin përreth fushës.
  2. KF Pogradeci U-17, për braktisjen e ndeshjes së vlefshme për turin 1/16 të Kupës së Shqipërisë, kundër Vora U-17, në bazë të nenit 54/1 të KDS dhe nenit 30/2 të Rregullores së Veprimtarisë Futbollistike, humbet ndeshjen në tavolinë me rezultatin 3-0 dhe përjashtohet nga gara për sezonin aktual si dhe atë pasardhës të Kupës së Shqipërisë.
  3. KF Pogradeci U-19, për braktisjen e ndeshjes së vlefshme për turin 1/16 të Kupës së Shqipërisë, kundër FC Besa U-19, në bazë të nenit 54/1 të KDS dhe nenit 30/2 të Rregullores së Veprimtarisë Futbollistike, humbet ndeshjen në tavolinë me rezultatin 3-0 dhe përjashtohet nga gara për sezonin aktual si dhe atë pasardhës të Kupës së Shqipërisë.
  4. Lojtari i Durrësi 04 U-19, Biorni Elezi, për sjellje josportive ndaj kundërshtarit, në bazë të nenit 47/1/d të KDS, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
  5. Lojtari i KF Shkodra U-19, Alfred Kacaj, për sjellje josportive ndaj kundërshtarit, në bazë të nenit 47/1/d të KDS, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
  6. Lojtari i Durrësi 04 U-19, Mateo Hasibra, për sulm ndaj kundërshtarit, në bazë të nenit 47/1/e të KDS, dënohet me 5 (pesë) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
  7. Lojtari i Iliria U-19, Sebastian Cela, për sjellje josportive ndaj zyrtarit të ndeshjes, në bazë të nenit 48/1/a të KDS, dënohet me 10 (dhjetë) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
  8. Lojtari i Iliria U-19, Ernik Paloka, për sjellje josportive ndaj zyrtarit të ndeshjes, në bazë të nenit 48/1/a të KDS, dënohet me 8 (tetë) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
  9. Lojtari i Iliria U-19, Robert Mesi, për lojë të rendë ndaj kundërshtarit, në bazë të nenit 47/1/b të KDS, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
  10. Pranimin e kërkesës së lojtarit të KF Turbina, Dorjan Bajrami, duke pezulluar zbatimin e pjesës së mbetur të dënimit. Në bazë të nenit 32/2/4/5 të KDS, lojtari vendoset në provë për një afat 6 (gjashtë) mujor dhe në rast të përsëritjes të shkeljes disiplinore gjatë periudhës së provës, dënimi i pezulluar i shtohet dënimit të ri.
  11. Rrëzimin e kërkesës së lojtarit të Vora, Segerso Geci, si të pabazuar në Kodin e Disiplinës Sportive.
  12. Rrëzimin e kërkesës së KF Shkumbini, Daniel Ramazani, si të pabazuar në Kodin e Disiplinës Sportive.