Momenti i shkëlqyer i Tottenhamit vazhdon nën drejtimin e Antonio Conte. Ndaj Norwich vjen fitorja e tretë radhazi në kampionat dhe Spurs i afrohen kështu zonës së Champions League, dy pikë nga vendi i katërt por me një ndeshje më pak se West Ham. Tottenham e nisi shumë fuqishëm dhe pas vetëm dhjetë minutash kaloi në epërsi me Lucas Moura, më pas administroi avantazhin dhe komandoi ndeshjen ndaj skuadrës së fundit duke e vrarë përfundimisht ndeshjen fillimisht në minutën e 67-të me Sanchez, e më pas në minutën e 77-të me Son.
Aventura e Ralf Rangnick në stolin e Manchester United nis me një psherëtimë lehtësimi. Në fakt, u desh një supergol i Fred në minutën e 77-të për të zgjidhur ndeshjen e vështirë ndaj Crystal Palace, deri në atë moment i mirë në mbrojtje dhe i rrezikshëm në kundërsulm. Djajtë e Kuq, autorë të një paraqitje jo tamam brilante, afrojnë në këtë mënyrë zonën e Champions League dhe vendosin rezultatin e tretë të dobishëm radhazi. Për skuadrën e Vieira-s, nga ana tjetër, një situatë e komplikuar në zonat më të ulëta të renditjes.