RTSH Sport Live

Korabi, ëndrra për Superioren vazhdon

  • 28/05/2023
  • |
  • Futboll Vendi
Korabi, ëndrra për Superioren vazhdon
Ngadhënjen në mënyre dramatike, 2-1, në betejën finale të “Play-off”-it ndaj Flamurtarit

Niveli i dytë i Kampionatit Kombëtar të Futbollit, që njihet si Kategoria e Parë, ka ulur të dielën siparin e këtij sezoni, teksa është luajtur të dielën pasdite edhe takimi i fundit. Korabi do të jetë skuadra që shpreson ende për të siguruar vendin në Kategorinë Superiore sezonin e ardhshëm, pasi ka ngadhënjyer në betejën e fundit të “Play-off”-it ndaj Flamurtarit. Në takimin e luajtur të dielën pasdite dhe të sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH Sport, dibranët fituan me rezultatin 2-1, me golat e shënuar në fundin e secilës pjesë loje.

Në fakt, pjesa e parë ka qenë mjaft e luftuar, me të dyja skuadrat që i kanë patur rastet e tyre, teksa vlonjatët kanë bërë një vëllim më të madh loje, ndërsa dibranët kanë qenë më të rrezikshëm në përpjekjet e tyre. Dhe pikërisht në fundin e pjesës së parë, do të jetë Keko që do të godasë zgjuarsisht brenda zonës dhe do të përshëndetë rrjetën.

Pjesa e dytë, e cila është ndërprerë për disa minuta për shkak të goditjes në fytyrë futbollistit të Korabit, Sokol Mziu, që më pas është shoqëruar me autoambulancë për një kontroll shëndetësor, ka parë Flamurtarin të këmbëngulë dhe është i sapofuturi në lojë, Kondaj, i cili, pas një goditjeje nga këndi, gjuan me kokë dhe barazon shifrat 9 minuta para fundit të kohës së rregullt.

Këto 9 minuta dhe ato 11 shtesë kanë qenë të ethshme dhe, pikërisht në fundin e tyre, është sërish Keko që fiton duelin me portierin vlonjat dhe e dërgon topin me kokë në rrjetë pas një goditjeje këndi.

Përtej një sherri masiv që ka shpërthyer pas golit midis dy skuadrave dhe dhënien e disa kartonëve të kuq nga gjyqtari kryesor, Korabi e mund Flamurtarin 2-1 dhe ëndërron ende për rikthimin në Kategorinë Superiore.