RTSH Sport Live

Korabi, Fehmi Mëziu: Administratori i Dinamos, provokator

  • 12/04/2021
  • |
  • Futboll Vendi
Korabi, Fehmi Mëziu: Administratori i Dinamos, provokator
Administratori i Korabit, Fehmi Mëziu, në një lidhje direkte me emisionin “E Hëna Sportive” në RTSH

Korabi në Grupin A të Kategorisë së Parë, është mundur në shtëpi në këtë javë, 1-2 përballë Dinamos. Por përveç humbjes, skenën e kësaj sfide e mori tensioni i shkaktuar, ku një nga protagonistët ishte dhe Administratori i kësaj skuadre, Fehmi Mëziu. Në një lidhje direkte me emisionin “E Hëna Sportive” në RTSH, Mëziu ka akuzuar drejtuesit e Dinamos, në veçanti Administratorin, Ermal Barushi.

"Futbolli i ka të tre rezultatet brenda, do gëzojmë por edhe do na prishet ndonjëherë humori kur humbasim. Në Peshkopi futbolli është luajtur gjithmonë drejt. Por kush vjen me provokime, me motivacione, normalisht që do të ndodhin edhe tensione. Edhe në sezonin e kaluar, Dinamo ka qënë pjesë e grupit tonë dhe është luajtur futboll i pastër, pa krijuar asnjë llojë problemi. Këtë vit duhet të pyesim më mirë ata se si e kanë nisur dhe si vijnë në Peshkopi".

"Momenti i kartonit të kuq dhe tensioni? Ndodhi sepse, administratori i Dinamos është i tillë person, që provokon gjatë gjithë kohës dhe vjen me shumë dashakeqësi në Dibër".

"Kemi tre vite që po punojmë me këtë ekip, me këta djemë të rinj dhe çështë e vërteta në këtë sezon kanë treguar se kanë mundësi për të arritur në vendin e parë, pavarësisht se në janar kishim disa largime. Por ne morëm djemë të rinj që kanë vullnet për të luajtur dhe aktualisht skuadra po paraqitet mirë, po prodhon më shumë aksione dhe dalje para portës se çdo ekip tjetër, duke i respektuar të gjithë. Normalisht që do humben edhe raste, por mendoj se skuadra është në një formë shumë të mirë".

"Besoj se do e arrijmë vendin e parë, pavarësisht se kjo humbje ishte e dhimbshme, në fushën tonë nuk duhet të tolerojmë, por futbolli i ka edhe këto. Gjithsesi, ne duhet të ishim treguar më të qetë, duhet të kishim ruajtur qetësinë, por në futboll ndodh edhe që të nervozohesh. Dalja e qendërmbrojtësit me karton na kushtoi shumë, sepse ai është një pikë shumë e fortë. Por ishte edhe një moment jo për ne".

“Mund të them se ne kemi kontrigjent, gara është e hapur. E them me plotë gojën se edhe në transfertë do marrim tri pikë. Ndeshja e radhës, ajo me Burrelin? Është një derbi i bukur, i ka të gjitha, uroj të fitojë më i miri”.