RTSH Sport Live

Korabi, Marku: “Objektivi, Kategoria Superiore”

  • 15/03/2021
  • |
  • Futboll Vendi
Korabi, Marku: “Objektivi, Kategoria Superiore”
I pranishëm në studion e emisionit, “E HËNA SPORTIVE” në RTSH, Taulant Marku ka shpalosur objektivat e skuadrës dibrane

Kategoria e Parë është future në një fazë shumë interesante, ku rivaliteti ka rritur dozat. Në Grupin A, Dinamo, Burreli dhe Korabi janë në një garë të ethshme për të arritur objektivin, ngjitjen në Kategorinë Superiore. Në javën e fundit, Dinamo arriti të ngjitet në vendin e parë, kjo dhe falë humbjes që Korabi i shkaktoi Burrelit(Korabi-Burreli 1-0).

Për të analizuar situatën në kampin e skuadrës dibrane ka menduar futbollisti I kësaj skuadre, Taulant Marku, I cili në deklaratën e tij në studion e emisionit “E hëna Sportive” në RTSH, ka theksuar:

“Fitorja me Burrelin ishte shumë e rëndësishme. Një humbje në këtë ndeshje do na kishte nxjerrë nga gara. Por falë punës që kemi bërë, arritëm të marrim një fitore shumë të rëndësishme. E kemi hapur garën plotësisht dhe jemi shumë afër arritjes së objektivit, do të luftojmë deri në fund”.

“Në Peshkopi ka një numër të madh tifozësh. Edhe në këtë periudhë, që stadiumet janë të mbyllura, rreth tij vazhdojnë të qëndrojnë shumë tifozë”.

“Korabi e filloi ndeshjen që nga fillimi i javës, sepse ishim shumë të angazhuar dhe mezi po e prisnim atë takim. Në asnjë moment skuadra e Burrelit nuk na ka rrezikuar. Kemi krijuar shumë raste, jemi treguar dominues për 90 minuta. E merituam plotësisht”.

“Burreli ka lojtarë me eksperiencë, që kanë luajtur me vite, si në Kategorinë e Parë ashtu dhe në Superiore. Gjithashtu, kanë një trajner ekspert si Samuel Nikaj. E dinim që kishim një kundërshtar të fortë përballë, por ne jemi të vetëdijshëm që forca jonë është akoma më e madhe se ajo që kemi treguar deri tani”.

“Dinamo, Korabi dhe Burreli mendoj që do të rivalizojnë deri në fund. Gara është e hapur, ka akoma dhe tetë ndeshje, mendoj se lufta do të jetë deri në javën e fundit”.

“Në përgjithësi kemi bërë kampionat shumë të mirë. Ndërrimi i trajnerit ka ndikuar pak negativisht, sepse sa u përshtatëm me trajnerin e ri, vuajtëm në tri ndeshjet e para. Nuk dua të vendos tani një notë, për veten apo ekipin. Notën ta vendosim në fund dhe uroj të jetë 10”.

“Objektivi ka qenë i qartë, arritja e Superligës nga vendi i parë. Ky është objektivi jonë, por se si do shkojë kampionati nuk i dihet, por edhe vendi i dytë nuk është keq. Por unë kam besim se do arrijmë vendin e parë”.

“Dalipi dhe Cana? Janë të dy trajnera shumë të mirë. Janë të ndryshëm, por kanë cilësi jashtëzakonisht shumë të mira, jam me fat që kam punuar me secilin prej tyre”.

“Vllaznia në Kupë? Ne do shkojmë për të luajtur futboll, me të gjitha forcat. Një gjë është e sigurtë, që edhe Vllaznisë do i hapim punë, kemi lojtarë të talentuar në skuadër, do i kishte zili çdo skuadër e Superligës. Do bëjmë një ndeshje dinjitoze”.

“Në dy ndeshjet e fundi të fazës së dytë, Erzeni dhe Dinamo? Objektivi jonë është që të marrim gjashtë pikë”.