RTSH Sport Live

Koronavirusi përparon në Tokio

  • 19/07/2021
  • |
  • Tokio 2020
Koronavirusi përparon në Tokio
58 raste pozitive në fshatin olimpik, por IOC nuk shqetësohet

Komiteti Organizativ i Lojërave Olimpike Tokio 2020, numëroi pasditen e së hënës 58 raste gjithsej me Covid 19. Duke përfshirë dy sportistët e fundit, tenisti Coco Gauff dhe një gjimnaste amerikane. Duket se kjo Olimpiadë nuk do të shpëtojë nga pandemia megjithë përpjekjet e shumta të Komitetit Organizativ dhe Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC). E megjithatë kjo veprimtari e shumëpritur gjatë nga të gjithë sportistët në botë, si dhe e përfolur aq shumë, do të nisë të premten, duke sfiduar koronavirusin.

As gjysma e atletëve nuk kanë arritur në fshatin olimpik dhe rastet pozitive me Covid-19 vazhdojnë të ndodhin, prej të cilëve, të fundit janë një gjimnast nga Shtetet e Bashkuara, volejbollisti çek, Ondrej Perusic dhe tenisti amerikan Coco Gauff. Në total, IOC numëroi 58 të infektuar, por jo të gjithë përfaqësojnë atletët garues. “E prisnim të ndodhte kjo situatë por megjithatë këto shifra janë të ulëta" - tha Dr. Brian McCloskey, një nga arkitektët e rregullores për mbarëvajtjen e këtyre Lojërave.

Shqetësim për organizatorët janë sportistët e Afrikës së Jugut, të cilët kanë dalë pozitiv me Covid-19 pasi kanë mbërritur në fshatin olimpik. Si dy futbollistët e Afrikës së Jugut, ekipi i regbisë për femra, nga Kenia, ekipi brazilian i xhudos, të cilët kanë patur kontakte të ngushta me një numër të konsideruar personash, tashmë të izoluar të gjithë.