RTSH Sport Live

Kosova, Alen Zhires: Të dominojmë Greqinë, ashtu si Qipron

  • 04/06/2022
  • |
  • Kosova
Kosova, Alen Zhires: Të dominojmë Greqinë, ashtu si Qipron
Përfaqësuesja e Kosovës do të zhvillojë të dielën ndeshjen e dytë në Ligën e Kombeve, përballë është Greqia

Përfaqësuesja e Kosovës do të zbresë të dielën në stadiumin “Fadil Vokrri” për ndeshjen e dytë të Ligës së Kombeve, përballë është Greqia, gjithçka do të startojë në orën 20:45. Të dyja skuadrat kanë arritur të fitojnë në transfertë në ndeshjet e para, Kosova mundi Qipron 2-0, ndërsa Greqia mundi Irlandën e Veriut 1-0.

Trajneri i “Dardanëve”, Alen Zhires është shprehur optimist në prag të kësaj sfide, duke kërkuar të përsërisë atë që bëri në ndeshjen e parë. “Është një sfidë e rëndësishme pasi të dyja ekipet kanë nga tri pikë. Do përgatitemi maksimalisht për nesër. Nuk do u referohemi ndeshjeve të mëparshme, çfarë ka përfunduar, ka përfunduar”.

“Do të përpiqemi të tregojmë një stil dominues në këtë sfidë, ashtu siç bëmë ndaj Qipros. E kemi studiuar Greqinë, e kemi parë se si ka vuajtur përballë Irlandës së Veriut. Formacioni? Është e vështirë të zgjedhësh në fazën sulmuese, duke parë numrin e madh të lojtarëve që kemi. Gjithsesi, pas stërvitjes së fundit nuk do të kemi dyshime se si do të paraqitemi. Ndërkohë, në fazën mbrojtëse kemi më pak alternativa”.