Edicioni i tretë i Ligës së Kombeve ka nisur me një fitore për përfaqësuesen e Kosovës. Në Larnaca, “Dardanët” kanë arritur të marrin një fitore 2-0 përballë Qipros, Grupi 2 i Ligës C. Një sfidë me dy tablo, pjesa e parë ishte e dobët për të besuarit e Alain Giresse, të cilët vetëm në minutën e 45-të arritën të japin sinjalin e parë të rrezikshëm me anë të Zhegrovës, ndërkohë që vendasit u afruan me golin në minutën e 41-të me protagonist Sotiriu, por dhe me Kastanos, Tzionis.
Në pjesën e dytë ishte histori tjetër, Kosova dominoi lojën dhe krijoi shumë raste për shënim. Gjithsesi, goli i parë mbërriti në minutën e 65-të me autor Valon Berishën me një goditje nga distanca. Ndërsa në minutën e 78-të ishte Zhegrova që dyfishoi rezultatin.
“Dardanët” do të zbresin përsëri në fushë të dielën, pikërisht në “Fadil Vokrri” për ndeshjen me Greqinë, ora 20:45.