RTSH Sport Live

Kosova, fundi i ciklit…?

  • 13/10/2021
  • |
  • Kosova
Kosova, fundi i ciklit…?
Humbja me Gjeorgjinë dhe zbritja në vendin e fundit, sinjale negavive

Fundi i një cikli? Ndoshta, por jo fundi i një gjenerate. Kosova po i konsumon me shpejtësi etapa normale të lindjes, rritjes, fazës së pjekurisë dhe plakjes në termat kohorë futbollistikë pasi vetëm 4 apo 5 vite më parë i dha formë një skuadre profesioniste dhe sot gjendet në një situatë aspak komode pasi konsumoi edhe zenitin në finalet e Ligës së Kommeve për një vend në Euro 2020.

Trajneri Challandes tashmë me valixhe në duar, sipas të gjitha gjasave do të largohet nga skuadra me një bilanc jo shumë pozitiv në kapitullin e dytë të eksperiencës së tij kosovare. Humbja ndaj Gjeorgjisë është prelud i një faze eleminatore të shoqëruar nga dështime të shumta por sfida e 12 Tetorit shënon ndoshta fundin sportiv përvec fundit në grupuin eleminator ku numëron vetëm 4 pikë në 7 ndeshje.

Vetëm një ndeshje e mbetur, në Athinë kundër Greqisë, duket e pamjaftueshme për të evituar minimalisht klasifikimin final në vendin e pestë nga ku nisi rrugëtimin 5 vite më parë me fazën eleminatore të Botërorit 2018. Sot, skuadra duket e dorëzuar dhe në limitet e mundësive.

Më shumë se muskujt, grupi i Challandes po reflekton shterrim dëshire dhe entuziazmi, detaje që e bënë me krahë Kosovën në fushatën e parë të Ligës së Kombeve ku arriti të siguronte biletën e finales katërshe të Divizionit D edhe pse më pas dështoi në misionin për të mundur Maqedoninë e Veriut në ndeshjen më të rëndësishme të historisë së re të përfaqësueses.

 Me rikthimin në vazon e fundit, misioni për ëndrrën Euro 2024 bëhet pothuajse i pamundur pasi në shortin e ardhshëm Kosova do të peshkonte 4 apo 5 kundërshtarë më të fortë në letër ndërsa trashëgimia e Challandes sipas të gjitha gjasave do të venitet shumë shpejt. Kosova kërkon një frymë të re dhe lojtarë me uri e dëshirë që sot nuk i ka në grupin e saj modest.