Një ndeshje për tu harruar. Kosova është mundur 2-0 nga Greqia në sfidën vendimtare për vendin e parë të Grupit 2 në Ligën C. Në Volos të Greqisë nuk ka munguar dhe tensioni, ndërsa vendasit kanë dominuar në lojë. Pas një pjese të parë pa gola, përfaqësuesja greke ka arritur të zhbllokojë rezultatin në pjesën e dytë dhe pikërisht në minutën e 71-të me anë të Giakoumakis, i cili fitoi dyluftimin me mbrojtjen kosovare dhe goditi saktësisht me kokë.
Pas shënimit të golit disa tifozë kanë zbritur në fushë, ndërsa në tribuna nuk kanë munguar fishekzjarret e hedhura në drejtim të tifozërisë Dardane. Është dashur ndërhyrja e policisë për të qetësuar situatën. Mantalos ka arritur të dyfishojë rezultatin në minutën e 99-të, moment në të cilin e gjithë përfaqësuesja e Kosovës ishte hedhur në sulm, por e ka pësuar.
Me këtë fitore, Greqia ngjitet në kuotën e 12 pikëve duke blinduar vendin e parë. Kosova është në kuotën e 6 pikëve dhe mban vendin e dytë, ndërsa Irlanda e Veriut dhe Qipro kanë nga dy pikë.