Përfaqësuesja e Kosovës ka arritur të marrë një barazim 1-1 në Greqi, në sfidën e luajtur në Athinë, por pa arritur të shmangë pozicionimin në vendin e fundit në Grupin B në eliminatoret e Kupës së Botës, “Katar 2022”. Një sfidë e dominuar në pjesën më të madhe nga përfaqësuesja greke, por që në fund fitorja mund të kishte shkuar dhe për llogari të Dardanëve, rastet nuk munguan.
Vendasit arritën të gjejnë rrugën e rrjetës në fundin e pjesës së parë. Ishte Giorgios Masouras, i cili pasi fitoi një dyluftim ajror me Rrahmanin, ka konkretizuar mundësinë e krijuar. Gjithsesi, reagimi i Dardanëve do të mbërrijë në minutën e 76-të, teksa Rrahmani ka dërguar topin në rrjetë pas asistimit të Zhegrovës.
Ky është barazimi i dytë i Kosovës(1 fitore, 2 barazime, 5 humbje), që e ngjit në kuotën e pesë pikëve, vendi i fundit në Grupin B. Vendi i parë i takon Spanjës me 19 pikë, që kualifikohet direkt, ndjekur nga Suedia me 15 pikë që shkon në play off. Vendi i tretë për Greqinë me 10 pikë, ndërsa në vend të katërt është Gjeorgjia me 7 pikë.