RTSH Sport Live

Kosova me mungesa, por ndaj Qipros nuk lejohen hapat fals

  • 26/09/2022
  • |
  • Kosova
Kosova me mungesa, por ndaj Qipros nuk lejohen hapat fals
Një humbje do të ndërlikonte pozitat në klasifikim, Giresse pret një sforco nga Rrahmani

Supergoli i Muriqit nuk i mjaftoi Kosovës që të dalë qoftë edhe me një pikë nga transferta në Irlandën e Veriut, kjo tw shtunwn e kaluar, pasi vendasit arritën të shënojnë dy herë dhe të përmbysin avantazhin fillestar të “Dardanëve”. Vëmendja tani është kthyer në përballjen e së martës ndaj Qipros. Kundërshtar që duhet marrë seriozisht, pasi edhe klasifikimi nuk premton. Kosova drejtuar nga Giresse mban vendin e dytë në kuotën e 6 pikëve, ndjekur nga Irlanda e Veriut dhe Qipro e fundit me 5 pikë. Një humbje do të ishte e rëndë për Kosovën, kjo në rast se Irlanda e Veriut merr një fitore, apo barazim ndaj Greqisë, kundërshtar që ka mbyllur cdo llogari në grupin ku bën pjesë.

Mungesat e Mërgim Vojvodas, Leart Paqaradës, Amir Rrahmanit dhe Shkëlqim Vladit u ndjenë në takimin ndaj Irlandës së Veriut, dhe trajneri Alan Giresse shpreson të ketë në ndeshjen ndaj Qipros tw paktwn kapitenin Amir Rrahmani për t’i dhënë stabilitet mbrojtjes. Natyrisht ajo humbje ndaj Irlandës së Veriut në minutat e fundit djeg, por sidoqoftë në Kosovë janë të bindur se do të arrijnë një fitore për të mbyllur këtë fushatë në vendin e dytë.