RTSH Sport Live

Kosova, me tri mungesa në dy ndeshjet e fundit

  • 08/11/2021
  • |
  • Kosova
Kosova, me tri mungesa në dy ndeshjet e fundit
Trajneri kujdestar, Gliha, nuk do të ketë shërbimet e Rashanit, Kastratit dhe Celinës

Pas largimit në dy javët e para të tetorit të Bernard Shalondit nga posti i përfaqësueses së Kosovës, do të jetë slloveni Primozh Gliha ai që do ta drejtojë përfaqësuesen e Kosovës në futboll në dy ndeshjet e 10-ditëshit të dytë të nëntorit. Më 10 nëntor, Kosova luan një ndeshje miqësore me Jordaninë në Prishtinë, ndërsa më 14 nëntor 2021, Kosova luan ndaj Greqisë në Athinë, në atë që është ndeshja e fundit e eliminatoreve për Botërorin e vitit të ardhshëm.

Gliha ishte ndihmësi i parë i trajnerit Shalondë, me të cilin Federata e Futbollit të Kosovës, (FFK) ndërpreu bashkëpunimin pas humbjes në shtëpi me Gjeorgjinë, FFK-ja nuk ka përzgjedhur ende një trajner të ri, ndërsa dy ndeshjet e nëntorit do t’i udhëheqë Gliha. Por atij do t’i mungojnë 3 lojtarë për këtoj ndeshje. Sipas asaj që njofton FFK-ja Elbasan Rashani, Lirim Kastrati dhe Bersant Celina, nuk do të jetë gati për këto sfida.

“3 futbollistë që ishin pjesë e listës së përzgjedhësit Gliha nuk do t’i bashkohen ekipit në këtë grumbullim. Elbasan Rashani ka pësuar lëndim në ndeshjen e së dielës me klubin e tij, kurse Lirim Kastrati e Bersant Celina me kërkesën e tyre për shkak të situatave përkatëse në klubet e tyre janë liruar nga detyrimet me ekipin kombëtar për këtë grumbullim”, - thuhet në njoftimin e FFK-së.

Po ashtu, edhe sulmuesi i Konjasporit, Zymer Bytyqi, është në dyshim, për shkak të një lëndimi. “Po ashtu mbetet për t’u vlerësuar situata e Zymer Bytyqit, që ka pësuar lëndim në ndeshjen e djeshme me klubin e tij. Bytyqi është duke i kryer ekzaminimet mjekësore me klubin e tij dhe më pas do të merret vendimi përfundimtare për të”, - përfundon njoftimi i organizimit që qeveris futbollin në Kosovë.