RTSH Sport Live

Kosova në miqësore, fitore e thellë ndaj Lituanisë

  • 24/03/2021
  • |
  • Kosova
Kosova në miqësore, fitore e thellë ndaj Lituanisë
Arbër Zeneli (27’, 71’), Vedat Muriqi (63’) dhe Besar Halimi (79’) realizuan golat për Kosovën

Kosova ka arritur të realizojë një fitore të thellë, 4-0 në miqësoren e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” të Prishtinës ndaj Lituanisë. Në miqësoren e luajtur në mbrëmje në Stadiumin “Fadil Vokrri” të kryeqytetit, ka parë miqtë të rrezikojnë pas vetëm 6 minutash lojë, me anë të sulmuesit Arvidas Novikovas, por Kosova përgjigjet menjëherë me anë të Muriqit.

Ndërkohë që miqtë, por edhe vendasit kanë patur nga një rast, përkatësisht në minutat 17 dhe 24, është Kosova që do ta gjejë rrugën e rrjetës në të 27-ën, kur Arbër Zeneli përfiton nga pasimi i Fidan Alitit dhe ruan gjakftohtësinë, duke përshëndetur rrjetën.

Në përgjithësi, skuadra e trajnerit Bernard Shalondë pati një paraqitje të mirë dhe pati disa raste të mira shënimi, siç ndodhi me Rashicën në minutën e 34-t dhe me Muriqin dy minuta më pas, ndërsa pjesa e parë do të mbyllet me epërsinë minimale të Kosovës, pavarsisht një rasti të baltikëve në fund, me anë të mesfushorit Vikintas Slivka.

Pjesa e dytë ka qenë edhe më bindëse për Kosovën, e cila e ka dyfishuar epërsinë në minutën e 63-të, me një goditje me kokë të Muriqit, ndërsa 8 minuta më pas, Zeneli gjen golin e tij të dytë në këtë takim dhe të 3-tin për përfaqësuesen dardane. pasi shfrytëzoi një pakujdesi të mbrojtjes së Lituanisë që nuk reagoi, si duhet pas ndërthurjes së Besar Halimit e Lirim Kastratit.

11 minuta para fundit të kohës së rregullt, Kosova gjen edhe golin e katërt, me anë të Besar Halimit, I aktivizuar në pjesën e dytë. Skuadra e trajnerit Bernard Shalondë fiton kështu 4-0 ndaj Lituanisë dhe përgatitet më së miri për sfidën e dyfishtë të fundmarsit, me Suedinë në shtëpi dhe me Spanjën në Sevilje.