RTSH Sport Live

Kosova përballë Irlandës së Veriut, Zhires: Do ketë ndryshime

  • 08/06/2022
  • |
  • Kosova
Kosova përballë Irlandës së Veriut, Zhires: Do ketë ndryshime
Trajneri i përfaqësueses së Kosovës, Alen Zhires në konferencë për shtyp në prag të sfidës me Irlandën e Veriut

Përfaqësuesja e Kosovës kërkon të harrojë humbjen 0-1 me Greqinë dhe të riktehet tek suksesi, ndërsa këtë të enjte në “Fadil Vokrri” do të vijë Irlanda e Veriut, ora 20:45. Në prag të kësaj sfide, trajneri i Dardanëve, Alen Zhires ka deklaruar: “E rëndësishme është se jemi përgatitur mirë. Presion? Nuk e di se çfarë do të thotë fjala presion, pasi jemi profesionista. Ajo që mund të them është se jemi gati dhe të përgatitur maksimalisht për këtë sfidë”.

Mungesat e shumta në skuadër e kanë detyruar trajnerin Zhires që të paralajmërojë ndryshime në skuadër. “Kemi mungesa dhe sigurisht që do të ketë ndryshime në skuadër, sidomos në krahun e majtë të mbrojtjes. Jemi në një situatë të veçantë për shkak të asaj që prodhoi ndeshja me Greqinë. Dy lojtarët e përjashtuar u shtohen mungesave që kemi”.

“Ata që mungojnë janë të rëndësishëm në pozicionet e tyre, por ne do të tentojmë ti përshtatemi situatës. Të përgatitemi dhe të bëjmë një paraqitje sa më të mirë. Pjesa fizike është shumë e rëndësishme, sidomos ndaj britanikëve që vrapojnë shumë, kështu që duhet të jemi sa më të përgatitur”.