Koha për të shndërruar lojën e mirë dhe rastet e ndërtuara për shënim në gola dhe rezultate. Kështu e ka cilësuar sulmuesi i përfaqësueses së Kosovës, Milot Rashica, sfidën e ardhshme me Suedinë.
“Gjatë gjithë javës jemi stërvitur në mënyrën më të mirë të mundshme dhe sigurisht se do të shkojmë për rezultat pozitiv. Në këtë grumbullim kemi pasur më shumë ditë në dispozicion së bashku dhe besoj që kemi pasur kohë të mjaftueshme për tu përgatitur. Duke pasur parasysh lojën e mirë kundër Spanjës, ku përveç rezultatit negativ, kemi krijuar shumë raste, shpresoj se në këtë ndeshje do të arrijmë t’i përfundojmë në mënyrën më të mirë rastet që na jepen dhe t’i gëzojmë tifozët tanë”.
Të njëjtin mendim ndan edhe mbrojtësi Fidan Aliti.
“Ka qenë një kohë e gjatë që nuk kemi luajtur para “Dardanëve” dhe normalisht se çdo herë ndjehemi krenar kur luajmë para tyre. Një falenderim i madh shkon për ata, vazhdimisht na përkrahin kudo që shkojmë. E njëjta situatë do të jetë edhe në Suedi dhe besoj se edhe ne do t’ua bëjmë një dhuratë me rezultat pozitiv”, u shpreh Aliti.
Kosova është stërvitur të enjten në kushte të vështira të motit, por kjo për të dy futbollistët ishte përgatitja më e mirë për një sfidë si ajo në Suedi.
“Sot ka qenë një stërvitje më e lehtë, duke pasur parasysh se dje ka qenë intensiteti shumë më i madh. Moti ishte I ftohtë, por jemi mësuar”, ka thesuar Rashica.
Në të njëjtën linjë edhe Aliti: “Moti ishte pak i vështirë, por ne si futbollistë jemi mësuar të stërvitemi edhe në këso kushte. Madje, mendoj se kjo ka qenë një përgatitje e mirë për ndeshjen me Suedinë”.
Përfaqësuesja e Kosovës niset të premten në mëngjes drejt Suedisë, ku edhe do ta zhvillojë stërvitjen e fundit në stadiumin “Friends Arena” në Solna të Stokholmit, duke nisur nga ora 18:00.