Kosova i ka mbyllur me fitore miqësoret e saj në Antalia të Turqisë, teksa të premten në mbrëmje ka fituar 1-0 ndaj Gambias. Ka vlejtur goli i Hoxhës në të 80’ për ta mbyllur me sukses këtë sfidë, ndërsa kjo ishte prova e dytë e skuadrës eksperimentale të Bernard Shaland. Në përgjithësi lojtarë që ishin në provë dhe që mund të përfitohen për kombëtaren e madhe, e cila në shtator do të duhet të vazhdojë kualifikueset e Kampionatit Botëror “Katar 2022”.
Për Gambian duhet shënuar penalltia e humbur nga sulmuesi i Bolonjas, Musa Barrov, në të 85’, ndërsa e ka dërguar jashtë. Kështu në katër ndeshje miqësore në harkun kohor të 11 ditëve, Kosova ka marrë tre fitore dhe një humbje me një golaverazh 8-4. Pra përgjithësisht një paraqitje dinjitoze e kombëtares së drejtuar nga Shaland, kurse kështu lojtarët e përdorur në këto dy miqësore me Guinenë dhe Gambian duket se e kanë kaluar provën dhe mund të jenë të gatshëm për këtë përfaqësuese në vazhdim. Ndonëse “armata” e rëndë, që mungoi në miqësoret me skuadrat afrikane, nuk lë vend për shumë hapësira.