RTSH Sport Live

Kosova, Zhires: Ky grup premton për kualifikimin

  • 21/03/2023
  • |
  • Kosova
Kosova, Zhires: Ky grup premton për kualifikimin
Trajneri i Kosovës flet në nisje të Eliminatoreve, synon të shkruajë historinë

Në konferencën e tij të parë për shtyp, para dy ndeshjeve të para të fushatës eliminatore të “Euro 2024”-ës, Trajneri i përfaqësueses, Alen Zhires, ka shfaqur ambicien e tij dhe të Kosovës për një kualifikimin historik për në fazën finale të një Kampionati Evropian. Ai ka thënë se grupi në të cilin është përfshirë e lejon Kosovën që ta ketë si objektiv kualifikimin, por ka thënë se nuk duhet nënçmuar aspak kundërshtarët.

 “Fillimisht do të dëshiroja të flisja në lidhje me grupin që e kemi në këtë cikël kualifikues. Përgjithësisht ndodhemi në një grup, i cili nuk është shumë i vështirë, por në të njëjtën kohë janë ekipe që nuk duhet nënçmuar. Por, ky grup na jep ambicie për të shkuar në Evropian. Pra, nuk po them që është grup i lehtë por ka mundur të jetë shumë më i vështirë. Qëllimi është ta kemi një ambicie të madhe dhe ta instalojmë atë te grupi i lojtarëve dhe të jemi të vetëdijshëm për mundësinë që e kemi përpara”, ka theksuar Giresse, duke shtuar se në secilën ndeshje do të kërkojë nga lojtarët që të luajnë me angazhim maksimal dhe me ambicie maksimale”.

Duke folur për kundërshtarin e parë në këto Eliminatore, Izraelin, Zhires nuk ka dashur të japë shumë hollësi rreth pikave të forta dhe të dobëta.

 “Izraeli? Është një ekip shumë i mirë sa i përket anës teknike. Është ekip që luan futboll të bukur dhe gjithmonë tenton të ndërtojë diçka nga fillimi. Pra, nuk luan me topa të gjatë. Është  ekip me lojtarë që pak a shumë  kanë vlerën e njëjtë. Ka disa karakteristika të caktuara, por nuk do të flasë për to sepse nuk dua që ata ta dinë për çka po flasim ne. Janë detaje që i kemi analizuar dhe nuk dua që t’u tregojë izraelitëve pikat e tyre të dobëta. Sidoqoftë, mund të them se ka lojtar shumë të rrezikshëm siç është lojtari i Fulhamit, Manor Solomon”.

Përveç Izraelit, në Grupin I të këtyre Eliminatoreve, Kosova përballet edhe me Zvicrën, Rumaninë, Bjellorusinë dhe Andorrën.