RTSH Sport Live

Kosovë, Veliu thyen rekordin e transferimeve

  • 25/06/2022
  • |
  • Kosova
Kosovë, Veliu thyen rekordin e transferimeve
Talenti i Llapit bashkohet me Gaziantep për 160 mijë euro

Kosova eksporton një talent tjetër jashtë kufijve. Bëhet fjalë për talentin e Llapit, Valmir Veliu që ka zgjedhur Turqinë për të vazhduar karriererën e tij, ashtu si shumë shqiptarë të tjerë gjatë viteve të fundit. Pas një sezoni shumë pozitiv me skuadrën kosovare, Veliu u bashkua me Gaziantep që do të derdhë plot 160 mijë euro për klubin nga Podujeva që një pjesë të tyre mund ta përdorë për të rindërtuar pjesërisht skuadrën për sezonin e ardhshëm.

21-vjeçari është produkt tërësisht vendas pasi është rritur në akademinë e klubit të Llapit ndërsa është një nga sulmuesit bazë të formacionit të Përfaqësueses Shpresa të Kosovës. U përfol shumë edhe për një transferim të mundshëm të talentit të Trabzonspor por në fund ishte Gaziantep që arriti ta bindte lojtarin ë krahut që këtë sezon e mbylli me 39 ndeshje, 11 gola të shënuar dhe 10 asiste.

Transferimi i Veliut në Turqi për 160 mijë euro e bën atë lojtari më të shtrenjtë që ka arritur të shesë Superliga e Kosovës, duke vendosur kështu edhe një rekord momental që shumë shpejt mund të thyhet pasi kampionati në vendin fqinjë ka nisur të rrisë emra interesantë.