Mbetet një fenomen global sa i përket marketingut dhe duket se nuk ka të ngjarë të ndalet. Vetëm gjatë 30 ditëve të fundit, Kristiano Ronaldo ka fituar plot 15 milionë ndjekës të rinj në Instagram, ndërkohë që Lionel Mesi dhe Kilian Mbapeja humbën ndjekës, edhe për shkak të problemeve të Paris SG-së. Ylli portugez i futbollit, i cili është njeriu më i ndjekur në këtë rrjet social, tashmë numëron mbi 564 milionë ndjekës në Instagram. Në fakt, shifrat e Ronaldos vazhdojnë të njohin rritje, pavarësisht se 5 herë fituesi i “Topit të Artë” i shtangu të gjithë në fund të vitit të shkuar, kur zgjodhi ta vazhdonte karrierën e tij Arabinë Saudite me skuadrën e Al-Nasrit.
Ai nuk ishte njeriu që njohu rritjen më të madhe të ndjekësve në Instagram, teksa statistikat dëshmojnë se këtë privilegj e pati aktorja dhe këngëtarja amerikane, Selena Gomez, por, prapëseprapë, ndikimi global i 38-vjeçarit nuk mund të injorohet. E ndërkohë që marka “Ronaldo” njeh vetëm rritje, rivali i tij i përjetshëm, Lionel Mesi, ka parë një rënie prej 570,000 ndjekësish në Instagram gjatë 30 ditëve të fundit. Forma e tij me luhatje tek Paris SG-ja, së bashku me dyshimet që po rriten sa i përket të ardhmes së tij në Francë, mendohet të kenë kontribuuar në këtë rënie, teksa kampioni i botës me Argjentinën në fund të vitit të shkuar, tashmë numëron 443 milionë ndjekës.
Edhe shoku i skuadrës së Mesit tek Paris SG-ja, Kilian Mbape ka humbur mbi 250,000 ndjekës, teksa mbetet në 101 milionë gjithsej, por ai është ende i ri dhe pritet që këto shifra të rriten, teksa projektohet në 10-vjeçarin e ardhshëm si pasardhësi i natyrshëm i Mesit dhe Ronaldos në rolin e futbollistit më të mirë në planet.