RTSH Sport Live

Kualifikimi në 1/8 mbush arkat e Milanit

  • 03/11/2022
  • |
  • Futboll Bota
Kualifikimi në 1/8 mbush arkat e Milanit
Kuqezinjtë përfitojnë deri tani 60 milionë euro nga Liga e Kampioneve

Falë fitores 4-0 ndaj Salsburgut në San Siro, e pas 9 vitesh të gjata, Milani kalon në 1/8 e Ligës së kampioneve, duke qenë midis 16 skuadrave më të mira të Evropës. Një rezultat i madh sportiv për skaudrën e Piolit dhe për 75 mijë spektatorët e pranishëm në San Siro që prej kohësh prisnin një mbrëmje të tillë. Por një rezultat i madh është edhe nga ana financiare, për të cilin drejtuesit e rinj të klubit janë me të vërtetë të kënaqur. Me rrugëtimin deri në kalimin në 1/8 e Ligës së Kampioneve, Milani ka përfituar në total 60 milionë euro.

Në total, pa gjobën prej 2 milionësh që klubi kuqezi do të duhet t’i paguajë Uefa-s për shkelje të Fair Play-t Financiar, Milani do të arkëtojë të paktën 59.4 milionë euro. Shumë kjo që, siç shpjegoi së fundmi Gazidis, më pas mund të riinvestohet në tregun e merkatos, kur në merkaton e janarit emri i Hakim Ziyech mbetet një objektiv i nxehtë. Pronari i Milanit, Gerry Cardinale, e ka komentuar kështu kalimin e skuadrës së vet në 1/8 e finaleve të Ligës së Kampioneve pas 9 vitesh: "Jam i lumtur për kualifikimin, por nuk është një surprizë. Duke parë nga afër vendosmërinë e madhe të skuadrës për të arritur gjithmonë rezultatin më të mirë të mundshëm, isha i bindur se kjo gjë do të arrihej”.