RTSH Sport Live

Kukësi-Dinamo, larg dhe pranë syve kureshtarë

  • 14/01/2022
  • |
  • Abissnet Superiore
Kukësi-Dinamo, larg dhe pranë syve kureshtarë
Si për ironi, dy trajnerët e përgatisin sfidën shumë pranë njëri-tjetrit

Nuk dëshirojnë praninë e mediave për të evituar që objektivi i kamerës të zbulojë skemat apo mënyrën se si e përgatisin ndeshjen, por autogolin nuk arrijnë ta evitojnë. Në të shkuarën, Kukësi apo Partizani janë kryqëzuar shpesh herë përpara ndeshjeve në të njëjtin kompleks stërvitor, por klubit verilindor ky fenomen tashmë nuk i bën më përshtypje.  Në prag të duelit të mesjavës mes ekipit të Longos dhe atij të Shkëmbit, drejtuesit teknikë kujdesen që të evitojnë sa të munden detaje teknike nga stërvitja edhe pse ata tashmë ndoshta e njohin shumë mirë metodën e punës së njëri tjetrit.

Rastësi ose jo, Kukësi dhe Dinamo u stërvitën në të njëjtin kompleks për disa ditë në mes të dhjetorit. Në kompleksin Olimpik të Durrësit, sapo Dinamo përfundonte seancën, Kukësi zbarkonte për të nisur stërvitjen, madje lojtarët shpesh herë me njëri tjetrin nuk i kanë kursyer edhe batutat. Armiq në fushë por miq jashtë saj, ose më saktë brenda saj por në seanca stërvitore dhe jo në ndeshje të vërteta. I njëjti fenomen po përsëritet edhe në kompleksin stërvitor të pozicionuar në Mullet ku këtë herë është Kukësi që i’a lë stafetën Dinamos menjëherë pasi mbyll përgatitjet për ndeshjen që ka pikërisht me Dinamon.

Me pak përqëndrim dhe dëshirë, Shkëmbi apo Longo mund të ndjekin nga larg punën e skuadrës kundërshtare pa pasur për asnjë moment nevojën e ndihmës së kamerave të pranishme.  Ky nuk është rasti i parë dhe ndhoshta as i fundit kur dy skuadra rivale në fushë të mësojnë edhe nga detajet teknike të kundërshtarit pasi mungesa e terreneve stërvitore i detyron të mësyjnë në të njëjtin kompleks.

Nuk është aspak habi që derbi dhe Partizani-Dinamo por edhe përballja mes të kuqve e Kukësit të shoqërohet fillimisht nga e njëjta antipastë sepse edhe ekipi i Mehmetit, të paktën deri në përfundim të kompleksit të kuq, do të qëndrojë i abonuar në të njëjtin kompleks.