RTSH Sport Live

Kukësi, fitore me përmbysje, mund Bylisin

  • 24/01/2021
  • |
  • Abissnet Superiore
Kukësi, fitore me përmbysje, mund Bylisin
Verilindorët kanë arritur fitoren e dytë radhazi, duke mundur ballshiotët në “Elbasan Arena” me rezultatin 2-1

Kukësi ka koleksionuar një tjetër fitore, e dyta radhazi, duke mundur Bylisin në “Elbasan Arena” me rezultatin 2-1, takim i vlefshëm për javën e 16-të të Kategorisë Superiore. Aspak e lehtë për verilindorët në këtë sfidë përballë ballshiotëve, që kanë shënuar të parët me Stojanoviç, por Ibraimi dhe Eze kanë përmbysur gjithçka.

Një sfidë e nisur me shumë agresivitet nga ana e Bylisit, ndërsa Kukësi nuk ka vonuar të pretendojë për një 11-metërsh në minutën e 15-të. Gjithsesi, sfida do të zhbllokohet në minutën e 26-të, me Stojanoviç që ka përfituar nga një hezitim i verilindorëve dhe e ka dërguar topin në rrjetë me një të majtë të fuqishme.

Në momentin më të mirë të ballshiotëve, që edhe mund të kishin dyfishuar me Mehmetllarin, Kukësi arrin të gjejë golin e barazimit me anë të Ibraimit. Një top i ardhur nga një goditje dënimi, ka përfunduar në këmbët e kapitenit të verilindorëve, i cili nuk fal, 1-1, rezultat që mbyll dhe pjesën e parë.

Edhe pjesa e dytë nis e vrullshme për ballshiotët, që godasin traversën me anë të Cakranjit. Reagimi i Kukësit nuk vonon dhe në minutën e 56-të arrin të gjejë golin e avantazhit. Ibraimi, kësaj radhe në rolin e asistuesit, ka nxjerrë në pozicion goditja Eze, ky i fundit me kokë tregohet i saktë, 2-1.  Në minutat në vazhdim, nuk mungojnë rastet, por edhe tensioni. Gjithsesi, rezultati mbetet i pandryshuar, me verilindorët që realizojnë një fitore me përmbysje.

KUKËSI-BYLIS  2-1

Golat: Ibraimi 39′, Eze 56’/ Stojanoviç 26′