RTSH Sport Live

Kukësi, gati për premierën e vitit me Dinamon

  • 18/01/2022
  • |
  • Abissnet Superiore
Kukësi, gati për premierën e vitit me Dinamon
Verilindorët kapërcejnë “Covid-19”, pa mungesa përballë bardhebluve

Ndryshe nga skuadrat e tjera të Kategorisë Superiore, që e nisën në fundjavë vitin 2022, Kukësi do ta bëjë këtë të mërkurën, teksa do të përballet me Dinamon në takimin e vlefshëm për javën e 16-të. Kjo ndeshje u shty për disa ditë, për shkak se një numër lojtarësh dhe anëtarë të stafit të skuadrës verilindore rezultuan pozitiv në testet për “Covid-19” në ditët e para të janarit.

Burime zyrtare pranë klubit të Kukësit kanë sqaruar për RTSH Sport se lojtarët e infektuar pak ditë më parë, e kanë kaluar “Covid-19”-ën dhe kanë nisur stërvitjen me pjesën tjetër të ekipit. Sipas këtyre burimeve, shqetësimi më i madh ka qenë për Ardit Hilën dhe Edi Bashën, dy futbollistët bazë të formacionit të Kukësit përgjatë këtyre 15 ndeshjeve, por të cilët duket se i kanë lënë gjitha pas dhe janë gati.

Ajo që mbetet për t’u parë, sidoqoftë, është forma fizike e këtyre lojtarëve deri ditën e ndeshjes, por gjasat janë që të jenë në fushë. Ajo që mund të konsiderohet si mungesa e vetme e skuadrës së trajnerit Diego Longo, do të jetë ajo e Emiljano Mustës, afrimit të vetëm në këtë merkato dimri, i cili pati mbushur numrin 4 të kartonëve të verdhë me Partizanin dhe për rrjedhojë është i pezulluar.

Të martën paradite skuadra verilindore ka zhvilluar seancën e fundit stërvitore në prag të ndeshjes së të mërkurës, ndërsa konferenca për shtyp, e planifikuar për t’u mbajtur para stërvitjes, është anuluar për arsye të sigurisë së shëndetit të gazetarëve dhe kameramanëve të medieve. Kukësi kërkon që jo vetëm ta nisë mbarë këtë vit të ri, por të përfitojë njëkohësisht edhe nga ndalesat e rivalëve në krye të renditjes për t’iu afruar akoma më shumë Tiranës së vendit të parë, por edhe për mbajtur të paprekur vendin e dytë.

Takimi Kukësi-Dinamo nuk do të luhet në stadiumin e ri të qytetit verilindor, pasi fusha në është ende gati për shkak të temperaturave të ulëta, që kanë ngadalësuar rehabilitimin e plotë të tapetit të gjelbër. Për rrjedhojë, takimi i fundit i javës së 16-të të Kategorisë Superiore do të luhet të mërkurën në Stadiumin “Elbasan Arena”, duke nisur nga ora 16:45.