RTSH Sport Live

Kukësi gjen fitoren, 3-0 përballë Kastriotit

  • 10/04/2021
  • |
  • Abissnet Superiore
Kukësi gjen fitoren, 3-0 përballë Kastriotit
Dopieta e Eze dhe goli i Lulaj firmosën suksesin e verilindorëve në këtë javë të 27-të të Kategorisë Superiore

Kukësi i ka dhënë fund serisë shtatë ndeshje pa fitore duke triumfuar në javën e 27-të të Kategorisë Superiore, 3-0 përballë Kastriotit. Në stadiumin e Kamzës, me krutanët si skuadër pritëse, gjithçka u vendosë në pjesën e dytë. Dopieta e Eze dhe goli i Lulaj i dhanë oksigjen skuadrës së drejtuar nga Mirel Josa në momentin e duhur.

Pjesa e parë ka nisur e vrullshme për të dyja skuadrat, që janë hedhur menjëherë në kërkim të golit. Nuk ka munguar dhe tensioni në fushë, legjitim në një ndeshje të tillë, deri në një masë të caktuar. Gjithsesi, konkretizimi i aksioneve ka mbetur në nivelin zero deri në sinjalizimin e fundit të gjyqtarit të sfidës, që ka mbyllur 45 minutat e para.

Pjesa e dytë nis me një mundësi për Kastriotin, por Mehmeti dhe Rezi kanë gabuar atëherë kur nuk duhej, aq më tepër në një mundësi të tillë. Kur nuk shënon, e pëson, dhe pikërisht kjo ka ndodhur. Kukësi, në minutën e 50-të të takimit ka arritur të gjejë rrugën e rrjetës me anë të Eze pas një kundërsulmi të shpejtë.

Një gol që u jep besim verilindorëve, të cilët pas dhjetë minutash arrijnë të gjejnë dhe golin e dytë. Është përsëri Eze, që ka shënuar, pas një pasimi të dhënë nga Tsintsadze. Kastrioti nuk arrin të reagojë, duke i dhënë mundësinë Kukësit që të gjejë dhe golin e tretë me autor Bruno Lulajn në minutën e 71-të të takimit.

Pas këtij moment nuk ka më histori dhe Kukësi u gëzohet tri pikëve të marra duke u ngjitur në kuotën e 35 pikëve, vendi i gjashtë. Kastrioti mbetet në kuotën e 30 pikëve, vendi i shtatë.