RTSH Sport Live

Kukësi, i plotë kundër Skënderbeut

  • 17/05/2022
  • |
  • Abissnet Superiore
Kukësi, i plotë kundër Skënderbeut
Diego Longo qëndron larg mediave dhe i fokusuar tërësisht te skuadra

Edhe dy ndeshje për shtytjen finale drejt Europës dhe më pas me sy e veshë nga 31 maji për sfidën mes Laçit e Vllaznisë, e vlefshme për Kupën e Shqipërisë. Fitorja 2-1 me Dinamon ka rikthyer entuziazmin në Kukës ku tashmë kërkojnë dhe besojnë ta mbajnë me çdo kusht pozicionin e katërt dhe të shpresojnë më pas në një sukses të kurbinasve në ndeshjen e trofeut të dytë më të rëndësishëm të vendit.

Fillimisht këtë fundjavë në “Kukës Arena”, Skënderbeu do të jetë vizitori i fundit për këtë sezon ndërsa në Tiranë do të mbyllen llogaritë në 26 maj kundër kampionëve. Momentalisht diferenca e pikëve me Vllazninë është 0 por krahasuar me shkodranët, Kukësi dominon në përballjet direkte. Trajneri Diego Longo preferon të qëndrojë larg mediave në prag të sfidës me korçarët.

Ai nuk prononcohet pasi kërkon të fokusohet tërësisht te puna me grupin aktual që e ka pothuajse të gjithin në dispozicion. Ndaj 8 herë kampionëve të vendit Kukësi do të zbresë në fushë me formacionin më të mirë ndërsa gjatë ditëve të fundit, ngarkesa fizike ka qenë maksimale në seancat stërvitore edhe pse ndaj Dinamos skuadra tregoi një përgatitje të lartë. Tashme 180 minuta nga fundi, Kukësi duhet të bëjë edhe një sforcim shtesë pasi një seozn pa Europën mund të rezultojë dështim i vërtetë.