RTSH Sport Live

Kukësi, Longo ka “shpërndarë” golat

  • 05/12/2021
  • |
  • Abissnet Superiore
Kukësi, Longo ka “shpërndarë” golat
Skuadra nuk ka pika referimi në sulm. Golat vijnë nga të gjithë repartet

25 gola, askush nuk ka arritur të bëjë më mirë se Kukësi në 11 javë kampionat dhe sa për të bërë një krahasim, vendi i dytë në këtë klasifikim mbahet nga Tirana që edhe pse kryesuese ka arritur të shënojë vetëm 21 gola. Statistikë që nuk zbulon vetëm forcën e sulmit të Kukësit por shumë më shumë, filozofinë që ka injekrtuar trajneri italian, i cili pëlqen topin në këmbë dhe aksionet masive, çka do të thotë se mbrojtësi është sulmuesi i fundit dhe anasjelltas.

Shpërndarja e golave në skuadrën verilindore e reflekton këtë trend ku të gjithë ndihen lojtarë të repartit të avancuar kur skuadra sulmon. Përtej bomberit zbulim të sezonit, Edi Basha me 6 realizime, në këtë skuadër nuk ka pika referimi kur behet fjalë për të shtyrë topin në rrjetë. Përvec kroatit, Feizhao shpërtheu në transfertën e Kamzës kundër Kastriotit por nuk mbetet pas as Milunovic me 5 gola ndërsa i riu Daci e ka gjetur një herë rrugën e rrjetës.

Po 5 gola janë sigluar nga mesfusha këtë sezon të ndarë mes vëllezërve Taipi, Hilës dhe Peposhit ndërsa mbrojtjen e ka përfaqësuar Ndreca me dy gola dhe Lulaj me një tjetër. Trajneri nga Gjenova ka shpërndarë përgjegjësitë por njëkohësisht nuk ka dhënë pika referimi as për kundërshtarët. Kukësi e ka të vështirë të evidentojë një qëndërsulmues, por ndoshta ky është avantazhi më i madh që skuadra verilindore ka.

Diego Longo me 3 fitore rresht ka betonuar pozitat si ndjekës i Tiranës dhe kandidaturë kryesore për të shqetësuar bardheblutë, mund të fërkojë duart. Krijesa e tij jo vetëm që ka lindur por tashmë po ecën me këmbët e veta.