RTSH Sport Live

Kukësi, me dy mungesa në Shkodër

  • 06/02/2023
  • |
  • Abissnet Superiore
Kukësi, me dy mungesa në Shkodër
Barbosa dhe Dragoshi nuk do të luajnë, Lamçe dhe Johnson titullarë

Gabrial Barbosa dhe Redon Dragoshi janë mungesat e vetme të trajnerit Rrahman Hallaçi për transfertën e Shkodrës të martën. Kukësi kërkon suksesin e katërt rresht sezonal për t’i dhënë vazhdimësi momentit të mirë të këtij sezoni dhe tekniku verilindor bashkë me ndihmësin e tij, Ylli Shameti kanë pasur shumë punë për të kolauduar skuadrën duke llogaritur plot 12 afrime të reja në merkaton e dimrit. Skuadra është rindërtuar në pothuajse 50 % të përbërjes së saj dhe për asnjë trajner nuk është e lehtë që të ribashkojë nga e para të gjitha pjesëzat.

Shumë prej të ardhurve janë ende jo në formë optimale ndërsa për pjesën tjetër stafi drejtues nuk ka krijuar ende një ide të qartë për karaktersistikat apo pozicionin që duhet të mbulojnë në fushën e lojës. Gjithsesi, pavarësisht kohës së pakët të ambjentimit me grupin aktual, mbrojtësi Franko Lamçe ka lënë shije të mirë në dy ndeshjet me Tiranën dhe Erzenin dhe do të luajë sërish që nga minuta e parë ashtu si ganezi Johnson që gjeti golin që në prekjet e para duke hapur rrugën e suksesit ndaj Tiranës.

Ka shumë kuriozitet edhe për 21-vjecarin kolumbian, Juan David Martinez por ai nuk është ende gati për të konsumuar minuta në fushën e lojës ashtu si edhe një pjesë e madhe e të sapoardhurve. Kukësi renditet në vendin e 8 të klasifikimit me 22 pikë.