RTSH Sport Live

Kukësi nuk ndalet, ngjitet në krye

  • 19/09/2021
  • |
  • Abissnet Superiore
Kukësi nuk ndalet, ngjitet në krye
Skuadra e Longos kalon 3-1 Kastriotin me dy gola të Bashës

Kukësi nuk zhgënjen duke hipotekuar pikët maksimale edhe në ndeshjen e dytë të sezonit ndaj një skuadre më modeste në emra dhe letër.Verilindorët konfirmohen skuadra e momentit në Kategorinë Superiore duke u ngjitur në vendin e parë me 6 pikë të plota pas 2 javevë të para. Skuadra e Diego Longos imponohet edhe ndaj Kastiotit në një ndeshje ku dominoi pothuajse gjatë gjithë sfidës së luajtur në Elbasan Arena.

Ritëm, intensitet dhe topin në këmbë, këtë kërkon trajneri italian nga skuadra e tij që u kap në befasi në mesin e pjesës së parë kur Arbër Basha shfrytëzoi asistin e Grecës duke shtangur vendasit por një skuadër me karakter di të reagojë dhe këtë e bëri Kukësi me Edison Ndrecën që nxorri nga repertori një gol manuali dhe e stampoi në cepin më të largët të portës së krutanëve.

Ndreca i pandalshëm me një tjetër tentativë por parabola e tij u ndal nga Shala. Ritëm frenetik në Elbasan Arena ku Edi Basha këmbënguli me presion  asfiksues dhe përfitoi nga paqartësia e mbrojtjes krutane duke kaluar në avantazh ekipin e tij për të shtruar më pas rrugën e suksesit të lehtë. Diego Longo menaxhoi sfidën në mënyrën më të mirë të mundshme dhe Taipi e Da Silva mund të kishin bërë më mirë por paqartësinë e tyre e korrigjoi sërish Basha që u gjend në vendin dhe momentin e duhur për ta shtyrë topin në rrjetë.

Kapitullim pa kushte i skuadrës së Ramadan Ndreut. Kastrioti u mbyll edhe më shumë në gjysmëfushën e tij duke menduar për ndeshjen e radhës, ndërsa Kukësi vazhdoi të menaxhonte ndeshjen duke mos lejuar hapësira për kundërshtarët. Një sfidë me dy fytyra për verilindorët që fituan ndjeshëm terren në pjesën e dytë kur diferencën në fushë e bëri futbolli fizik. Kukësi ngjitet në krye ku do të qëndrojë të paktën për 1 javë por pas 180 minutave të para konfirmohet një nga surprizat e ëmbla të këtij sezoni.