RTSH Sport Live

Kukësi po, Tirana jo

  • 09/08/2022
  • |
  • Abissnet Superiore
Kukësi po, Tirana jo
Merkato e kundërt në kampet e dy skuadrave që ndeshen javën e parë

Merkato e bollshme, por edhe me pikatore në Kategorinë Superiore, atje ku Egnatia dhe Kukësi janë kampionët e verës, ndërsa Tirana mbetet në prag të një eksodi edhe më të dhimbshëm. Pas largimit të Hoxhallarit, Totre e Tolit, në shënjestër të kampionëve janë vënë edhe porta e sulmi. Bekaj është vetëm një hap larg Turqisë, ashtu si edhe Seferi. Ekstremet e formacionit të Orges Shehit marrin një goditje të madhe në rast se dy emrat e përfolur do të largohen, edhe pse kjo tashmë është vetëm një çështje detajesh. Klubi kërkon të arkëtojë sa më shumë nga sulmuesi i Kombëtares dhe ky është detaji që mban peng sot autorin e 19 golave në Superioren e sezonit të kaluar, ndërsa Hasani do ta zëvendësojë në sezonin e ri edhe pse Shehi kërkon përforcime me peshë për të siguruar vazhdimësinë dhe projektin e suksesshëm që u kurorëzua me titullin e 26-të.

Në krahun tjetër të medaljes qëndron Kukësi, klub që ka investuar shumë në merkaton e verës dhe mjafton të përmendim faktin se vetëm 4 nga 26 lojtarët e skuadrës aktuale të Gegës trashëgohen nga skuadra e sezonit të kaluar për të kuptuar ndryshimet radikale që i janë bërë ekipit që u drejtua nga Longo. Lojtarë me shumë eksperiencë dhe me shumicë madje për skuadrën verilindore që këtë sezon ka avantazhin e zhvillimit të ndeshjeve në stadiumin e shtëpisë. Mbrojta dhe sulmi të ribërë plotësisht, ndërsa në mesfushë Basa dhe Gjelbrim Taipi do të vazhdojnë të mbajnë mbi supe peshën e rëndë për të çuar skuadrën përpara. Sot Kukësi dhe Tirana, vetëm 12 ditë larg ndeshjes hapëse, që do të luhet në “Kukësi Arena”, janë dy realitete tërësisht të ndryshme.