RTSH Sport Live

Kupa, bonus për Vllazninë apo Laçin

  • 14/04/2022
  • |
  • Futboll Vendi
Kupa, bonus për Vllazninë apo Laçin
Shkodranët kërkojnë trofeun e 8, kurbinasit rikthehen në finale pas 4 vitesh

Finalja e 31 Majit në Kupën e Shqipërisë mes Laçit dhe Vllaznisë nuk është një ndeshje trofeu apo statistikash por shumë më shumë. Gjatë sezoneve të fundit, aksi Kurbin-Shkodër ka prodhuar disa nga sfidat më interesante dhe të luftuara me rivalitet të zjarrtë dhe përballje që kanë prodhuar shpesh herë edhe polemika. Përballja e fundit e mbyllur në barazim pa gola nuk është tregues i sfidave të këtij sezoni ku Vllaznia ka triumfuar fillimisht 5-3 në transfertë dhe më pas 1-0 në Shkodër për ta regjistruar humbjen e vetme ndaj bardhezinjve në fazën e tretë po 1-0.

Bilanc që anon nga shkodranët të cilët do të prezantohen për herë të dytë rresht në Arenën Kombëtare për trofeun e dytë më të rëndësishëm të futbollit shqiptar. Në klasifikimin e përgjithshëm të trofeve, Vllaznia renditet pas tre skuadrave kryeqytetase me 7 kupa të fituara, 6 më pak se Dinamo dhe me bilancin e 8 finaleve të humbura. Plot 16 herë është kualifikuar për në ndeshjen e fundit të turneut ekipi kuqeblu që në fund të majit do të kërkojë të barazojë llogaritë për të shtuar një tjetër kupë në muzeun e pasur të trofeve.

Në krahun tjetër, Laçi, një skuadër me histori më të re, numëron 4 finale të ndara në mënyrë të barabartë mes humbjeve dhe fitoreve. Kanë triumfuar për herë të fundit në vitin 2015 bardhezinjtë që ashtu si Besa, Kukësi apo Elbasani numërojnë nga 2 trofe dhe në rast suksesi mund të ngjiten në vendin e shtatë pas Teutës e Flamurtarit që numërojnë 4 të tillë.

Për herë të fundit në finale, Laçi është thyer në vitin 2018 nga Skënderbeu por edhe dy vite më parë nga Kukësi me 11 metërsha. Kjo është finalja e parë e Kupës së Shqipërisë që luhet mes Vllaznisë e Laçit.