RTSH Sport Live

Kupa e Gjermanisë: Bayern e bën dramë, eliminohet nga Holstein Kiel

  • 13/01/2021
  • |
  • Gjermani
Kupa e Gjermanisë: Bayern e bën dramë, eliminohet nga Holstein Kiel
120 minuta lojë, barazim 2-2, gjuajtjet e penalltive kanë sjellë eliminimin e bavarezëve, gaboi Roka

Kupa e Gjermanisë në futboll është një nga ekskluzivitetet e spikatura sportive të Rrjetit të Radio-Televizionit Shqiptar. Dhe të mërkurën në mbrëmje, në kuadër të turit të saj të 32-shes, ka ardhur drejtpërdrejt kanalin RTSH Sport të platformës së transmetuesit publik edhe përballja e fundit e kësaj faze. Ky takim ka vënë përballe kampionen e Gjermanisë, Bayern, dhe vendasit e Holstein Kiel, skuadrës që militon në Bundesligën e dytë. Kanë qenë miqtë që kanë kaluar në epërsi pas 14 minutash lojë, me anë të Serxhe Gnabrit.

Bavarezët kanë kërcënuar të gjejnë edhe gola të tjerë, por, përkundër rrjedhës së lojës, është Holstein Kiel që do të barazojë shifrat 8 minuta para fundit të pjesës së parë, me Fin Bartels.

Në barazim 1-1 do të mbyllet pjesa e parë, ndërsa me fillimin e së dytës, në minutën e 48-të, Bajerni do të gjejë golin e dytë, me autor Lëroi Sane, duke u rikthyer kështu në epërsi.

Bavarezët do të vijojnë në 42 minutat e mbetura të kohës së rregullt dhe ato shtesë të bëjnë detyrën, duke administruar epërsinë. Por teksa po pritej sinjalizimi përfundimtare, vendasit kanë gjetur golin e barazimit në sekondat e fundit të minutës së 5-të shtesë.

Gjithçka ka shkuar kështu në dy pjesët shtesë nga 15 minuta secila, të cilat, sidoqoftë, nuk kanë dhuruar gola të tjerë dhe fjalën ia kanë lënë goditjeve nga pika e bardhë e 11-metërshave.

11-metërshat, aty ku Roka gabon për Bajernin e Mynihut dhe Bartels shënon për Holstein Kiel, që triumfon 6-5 dhe shkon në turin tjetër.

Kupa e Gjermanisë ka plotësuar kështu tablon e turit të 16-shes dhe pret tani shortin, për përvijuar edhe betejat drejt finales së madhe, por tashmë pa fituesen në fuqi të saj.