RTSH Sport Live

Kupa e Gjermanisë: Leverkusen kualifikohet me poker

  • 12/01/2021
  • |
  • Gjermani
Kupa e Gjermanisë: Leverkusen kualifikohet me poker
Në sfidën e transmetuar në RTSH Sport, formacioni i drejtuar nga Peter Bosz ka eliminuar Eintracht Frankfurt me një rezultat 4-1

Kupa e Gjermanisë, një nga ekskluzivitetet e RTSH Sport, ka njohur të kualifikuarin e radhës në këtë raund të dytë të saj: është Leverkusen. Formacioni i drejtuar nga Peter Bosz ka arritur të kalojë pengesën Eintracht Frankfurt me një rezultat 4-1.

Gjithçka është komplikuar në nisje për vendasit, ndërsa skuadra mike ka arritur të kalojë e para në avantazh, që në minutën e 6-të me anë të Younes. Por në minutën e 27-të, Leverkusen ka arritur të gjejë rrugën e rrjetës nga pika e penalltisë, me protagonist, Alario. Barazim 1-1, që ka mbyllur dhe pjesën e parë.

Fillimi i pjesës së dytë ka sjellë dhe avantazhin e vendasve. Është Tapsoba, që në minutën e 49-të ka vendosur emrin e tij në listën e golashënuesve në këtë sfidë. Diaby në minutën e 67-të i ka dhënë një tjetër siguri për kualifikimin skuadrës së trajnerit Bosz me golin e shënuar.

Situata do të bëhet më e favorshme për Eintracht për të reaguar, teksa në minutën e 73-të, Tah do të ndëshkohet me kartonin e kuq, si lojtari i fundit, pas ndërhyrjes së gabuar në dëm të Andre Silva në afërsi të zonës.

Gjithsesi, Leverkusen me një lojë të kujdesshme dhe me kundërsulme të shpejta, ka arritur të shënojë dhe golin e katërt me anë të Diaby 87’, dhe ka prerë  biletën për në raundin e tretë të Kupës së Gjermanisë.