RTSH Sport Live

Kupa e Gjermanisë njeh tre gjysmëfinalistet

  • 03/03/2021
  • |
  • Gjermani
Kupa e Gjermanisë njeh tre gjysmëfinalistet
Kualifikohet Dortmundi, Lajpcigu dhe Holshtajn Kili, pritet dueli Jahn Regensburg - Verder Bremen

Kualifikohet Dortmundi, Lajpcigu dhe Holshtajn Kili, pritet dueli Jahn Regensburg - Verder Bremen. Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar ka sjellë përballjet më të spikatura të çerekfinaleve të Kupës së Gjermanisë në futboll. Dhe të mërkurën, Holshtajn Kili dhe Lajpcigu kanë korrur fitoret që u kanë mundësuar t’i bashkohen në gjysmëfinale Borusias së Dortmundit. Një nga çerekfinalet nuk është zhvilluar, për shkak të infektimeve me virusin “Covid-19”.

Kupa e Gjermanisë në futboll, që është një nga ekskluzivitetet e spikatura sportive të Rrjetit të Radio-Televizionit Shqiptar ka luajtur të mërkurën dy çerekfinalet e tjera dhe ekipi që eliminoi fituesen në fuqi, Bajernin e Mynihut, Holshtajn Kili i Bundesligës së dytë i ka dhënë fund ëndrrës së skuadrës së vetme amatore që ka mbetur në lojë, Rot-Vajs Esenit, duke e mundur 3-0 me dy gola në pjesën e parë dhe një në fundin e së dytës, në duelin që nisi në ora 18:30.

Ndërkaq, në përballjen e fundit çerekfinale, që nisi në ora 20:45 dhe që erdhi drejtpërdrejt në RTSH 3, janë përballur dy skuadrat e Bundesligës së parë, Lajpcigu dhe Volfsburgu. Pjesa e parë e kësaj sfide është mbyllur me rrjeta të paprekura, por, në të dytën është Poulsen që kalon vendasit në epërsi në minutën e 63-të. Hi-Çen Uong do të shënojë edhe golin e sigurisë për Lajpcigun, dy minuta para fundit të kohës së rregullt të takimit.

Lajpcigu mposht kështu Volfsburgun 2-0 dhe siguron vendin në gjysmëfinale krahas Holshtajn Kilit dhe Borusias së Dortmundit, që fitoi të martën minimalisht në fushën e Borusias së Mënshengladbahut. Ndërkaq, përballja që duhej të çelte siparin e këtyre çerekfinaleve, midis Jahn Regensburgut të Bundesligës së dytë dhe Verder Bremenin e Bundesligës së parë, nuk u zhvillua të mart. Kjo për arsye se një numër lojtarësh të skuadrës Jahn Regensburgut kanë rezultuar pozitivë për “Covid-19” dhe Federata Gjermane e Futbollit ka bërë të ditur se po punon për organizimin e ndeshjes në një datë tjetër.

Kupa e Gjermanisë

Turi i 16-shes:

Të martën, 2 mars 2021:

Jahn Regensburg - Verder Bremen  (U shty)

Borusia Mënshengladbah - Borusia Dortmund 0-1

Të mërkurën, 3 mars 2021:

Rot-Vajs Esen - Holshten Kil 0-3

Lajpcig – Volfsburg 2-0