RTSH Sport Live

Kupa e Pavarësisë mes më të mirëve të rajonit

  • 19/11/2022
  • |
  • Sporte të tjera
Kupa e Pavarësisë mes më të mirëve të rajonit
Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut bëhen bashkë në sportin e qitjes

Kupa e Pavarësisë në Qitje, në edicionin e saj të shtatëmbëdhjetë, ka patur një format ndryshe nga vitet e kaluara. Pikërisht në Poligonin e Qitjes “Rexhep Ramaj” në Tiranë kanë ardhur katër qitësit më të mirë të Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut në disiplinat e pushkës dhe të pistoletës. Sekretarja e përgjithshme e Federatës Shqiptare të Qitjes, Enkelejda Çaushi, ka shpjeguar për RTSH Sport se përse u bë kjo përzgjedhje.

“Kjo tregon – thotë Çaushi – që ne po zgjerohemi, po rregullohen marrëdhëniet dhe sikur po rritemi në nivel. Dhe në rritje të konkurrencës evidentohen edhe më të mirët”.

A mundet të jetë i përvitshëm si aktivitet edhe në formën e një lige Ballkanike?

“Gjithmonë Federata Shqiptare e Qitjes ka lobuar për realizimin e kësaj lige Ballkanike. Shpresojmë që vitin e ardhshëm të realizohet kjo iniciativë. Sivjet ishim me katër ekipe, vitin e ardhshëm edhe më shumë”, nënvizon Çaushi

Ndoshta termi politik Ballkan i hapur mund të jetë edhe për qitje. E sigurisht që Çaushi e ka si ide.

“Pse jo dhe ne në mbështetje të idesë së kryeministrit të jemi të hapur me të gjithë në Rajon”, thekson Çaushi.

Ndërkohë kryekzekutivja e Federatës Shqiptare të Qitjes ka treguar dhe vitin 2022 për sportistët shqiptarë.

“Sportistët tanë elitarë kanë patur rritje këtë vit në rezultate”, thotë Çaushi.

Cilat janë objektivat për 2023-in, aq më tepër që është dhe viti i garave kualifikuese për në Lojërat Olimpike “Paris 2024”?

“Gjatë 2023 të kemi më tepër masivitet dhe ekipe të reja, sepse të rinjtë janë ato që po shënojnë një rritje galopante. Por gjithmonë fokusi dhe tek sportistët elitarë”.

Në përfundim vendin e parë në pistoletë për femra e ka merituar MarelaYmeri e Kosovës me 543 pikë. Në pistoletë për meshkuj fitues ishte Nexhat Sahiti i Kosovës me 573 pikë. Në pushkë për meshkuj vendi i parë shkoi për Martin Angelevskin e Maqedonisë së Veriut me 612 pikë, kurse në pushkë për femra gjithçka u dominua nga Darinka Bulatoviç, e cila grumbulloi 620.1 pikë. Ky ishte dhe aktiviteti i fundit i vitit 2022 për qitjen shqiptare.