RTSH Sport Live

Kupa e Shqipërisë dhe dëmtimi i Izmir Smajlajt

  • 11/05/2022
  • |
  • Sporte të tjera
Kupa e Shqipërisë dhe dëmtimi i Izmir Smajlajt
Konfirmimi i presidentit Ruli për kërcyesin së gjati: Këputje të ligamenteve të gjurit

Kupa e Shqipërisë në atletikë, që të martën pasdite u zhvillua në pistën e stadiumit “Loro Boriçi”, ka shkaktuar dhe një problem shumë të madh. Dëmtimi i Izmir Smajlajt, që u shpall fitues në kërcim së gjati më 7.87 metra dhe u konsiderua dhe atleti më i mirë i aktivitetit, ishte më i rëndë se sa mendohej. Nga pista e stadiumit “Loro Boriçi” është transportuar me barrelë në Spitalin Rajonal të Shkodrës, ndërsa një ditë pas aktivitetit, presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës, Gjergji Ruli, që është njëkohësisht dhe trajneri i tij ka konfirmuar gjendjen e sportistit. Sipas të gjitha verifikimeve dhe kontrolleve mjekësore Smajlaj ka dëmtim të ligamenteve të gjurit.

Që do të thotë se do t’i duhet kohë e gjatë rekuperimi dhe kthimi në stërvitje normale. Madje ndoshta me këtë dëmtim e ka humbur dhe sezonin, ndërsa atletikën e priste një mori aktivitetesh të rëndësishme ndërkombëtare. Kjo që nga Kampionati Europian dhe Botëror e deri tek Lojërat Mesdhetare në Oran.

Ndërkohë për t’u përmendur rekordi i Luiza Gegës në 5000 metra me 15’22”18, apo rekordi i Leandro Çardakut në 100 metra për të rinj më 11”01. E po kështu dhe rekordi i Erisa Myrtollarit në 100 metra për të reja më 12”28. Në përgjithësi një aktivitet i mirë, por që e prishi dëmtimi i Smajlajt, që është më i rëndë se sa mendohej. Gjithsesi atletika vazhdon dhe ka përpara një sërë aktivitetesh kombëtare.