Kupa e Shqipërisë në futboll për femra fillon këtë fundjavë. Kompeticioni i dytë më i rëndësishëm pas kampionatit do të nisë nga dita e shtunë me raundin paraeleminator, me 11 skuadra që janë në garë për të fituar këtë trofe të rëndësishëm. Pesë ekipet e para të renditjes, Vllaznia, Apolonia, Tirana, Partizani dhe Murlani do të kalojnë direkt në çerekfinale, ndërsa fundjava do të rezervojë tre përballje interesante mes skuadrave, që renditen në pjesën e poshtme të klasifikimit, kjo për të siguruar një biletë për në çerekfinale.
Ndeshjet do të jenë me sistem eliminimi direkt sipas shortit të përcaktuar. Sfida e parë që do të luhet ditën e shtunë është ajo mes Kinostudios dhe Lushnjës, ndeshje që do të zhvillohet në Kamëz në ora 13:00, ndërsa kryeqytetaset duken më të favorizuara për të kaluar në raundin tjetër. Të dielën do të luhen 2 sfidat e tjera.
Në Durrës, Teuta do të presë në shtëpi Skënderbeun, me të dyja skuadrat që kanë pasur luhatje në kampionat dhe përballja duket e vështirë për të dyja ekipet. Ndeshja nis në ora 12:00. Një tjetër sfidë do të luhet në Shkodër.
Kryeqytetaset e Tirana AS do të udhëtojnë drejt qytetit verior, teksa do të përballen me Atletik Club. Ndeshje e cila do të luhet në ora 14:30, ndërsa Vllaznia është fituesja në fuqi e Kupës së Shqipërisë në futboll për femra.