Veprimtaria e dytë e futbollit në vend, Kupa e Shqipërisë, ka nisur të mërkurën me ngarkesë të plotë rrugëtimin e sezonit të ri të saj, me zhvillimin e ndeshjeve të para të turit të 32-shes. Në fakt, më herët janë luajtur edhe dy takimet e turit paraeliminator, prej nga Labëria dhe Luzi 2008 kanë fituar vendin në turin tjetër. Dhe turi i 32-shes, ndryshe nga sezoni i shkuar, ku, për shkak të epidemisë së virusit “Covid-19”, duelet u zhvilluan me një përballje të vetme, këtë sezon do të zhvillohen me sistem vajtje-ardhje. Midis ndeshjeve të para të çifteve të këtij turi, spikatën duelet midis skuadrave të Kategorisë së Parë, teksa ato të Kategorisë Superiore janë favorizuar nga shorti.
Fituesja në fuqi e këtij trofeu, Vllaznia, është shtangur nga skuadra modeste e Labërisë, duke u mundur me shifrat 1-2, ndërsa kampionia në fuqi, Teuta, është sfidohet në derbin rajonal nga Luzi 2008, por e ka mbyllur praktikisht kualifikimin që në takimin e parë, duke fituar thellë, 4-1. Nga skuadrat tjera të Superiores, Kastrioti ka mposhtur Elbasanin 2-0, ndërsa Egnatia e Rrogozhinës ka vuajtur për të marrë një barazim 1-1 në Cërrik përballë Turbinës, Kukësi është ndarë me rrjeta të paprekura përballë Maliqin, Laçi është ndarë me një barazim 1-1 në Sarandë me Butrintin dhe Dinamo është mundur minimalisht në Shijak përballë Erzenit.
Finalistja e mundur e sezonit të shkuar, Skënderbeu ka fituar 3-0 në Shkodër ndaj Veleçikut të Koplikut, ashtu sikundër ka bërë edhe Tirana në Peqin ndaj Shkumbinit, por edhe Partizani, që ka mundur 3-0 në Pukë Tërbunin. Ndërkaq, midis çifteve të tjera spikatin rezultatet e takimeve të parë të dueleve Besëlidhja e Lezhës-Burreli 0-0, Oriku-Bylisi 1-2, Vora-Korabi i Peshkopisë 2-1, Flamurtari-Apolonia 1-1, Lushnja-Tomori i Beratit 0-3 dhe Besa e Kavajës-Pogradeci 1-0. Ndërsa ndeshjet e kthimit të turit të 32-shes së Kupës së Shqipërisë luhen të enjten e 14 tetorit 2021.
Kupa e Shqipërisë
Turi i 32-shes:
Të mërkurën, 22 shtator 2021:
Tërbuni Pukë - Partizani Tirana 0-3
Shkumbini Peqin - Tirana 0-3
Veleçiku Koplik - Skënderbeu 0-3
Oriku - Bylis 1-2
Erzeni Shijak - Dinamo 1-0
Besëlidhja Lezhë - Burreli 0-0
Vora - Korabi Peshkopi 2-1
Butrinti Sarandë - Laçi 1-1
Maliqi - Kukësi 0-0
Elbasani - Kastrioti 0-2
Flamurtari - Apolonia 1-1
Turbina Cërrik - Egnatia Rrogozhinë 1-1
Lushnja - Tomori Berat 0-3
Besa Kavajë - Pogradeci 1-0
Luzi 2008 - Teuta 1-4
Labëria - Vllaznia 2-1
Shënim: Ndeshjet në vijim zhvillohen me sistem vajtje-ardhje.
Ndeshjet e kthimit luhen të enjten e 14 tetorit 2021