RTSH Sport Live

Kupa e Shqipërisë nis të mërkurën sezonin e ri

  • 20/09/2021
  • |
  • Futboll Vendi
Kupa e Shqipërisë nis të mërkurën sezonin e ri
Luhen takimet e para të turit të 32-shes, ky edicion zhvillohet me sistem vajtje-ardhje

Veprimtaria e dytë e futbollit në vend, Kupa e Shqipërisë, nis të mërkurën rrugëtimin e sezonit të ri të saj, me zhvillimin e ndeshjeve të para të turit të 32-shes. Në fakt, më herët janë luajtur edhe dy takimet e turit paraeliminator, teksa Labëria ka mundur në shtëpi 3-0 Devollin, kurse Luzi 2008 ka fituar në Librazhd, 1-2 ndaj Sopotit vendas, dhe të dyja skuadrat kanë fituar vendin në turin tjetër. Dhe turi i 32-shes, ndryshe nga sezoni i shkuar, ku, për shkak të epidemisë së virusit “Covid-19”, duelet u zhvilluan me një përballje të vetme, këtë sezon do të zhvillohen me sistem vajtje-ardhje.

Midis çifteve të këtij turi, spikatin duelet midis skuadrave të Kategorisë së Parë, teksa ato të Kategorisë Superiore janë favorizuar nga shorti. Fituesja në fuqi e këtij trofeu, Vllaznia, do të përballet me Labërinë, ndërsa kampionia në fuqi, Teuta, sfidohet në derbin rajonal nga Luzi 2008. Nga skuadrat tjera të Superiores, Kastrioti përballet me Elbasanin, Egnatia e Rrogozhinës me Turbinën e Cërrikut, Kukësi ndeshet me Maliqin, Laçi me Butrintin dhe Dinamo me Erzenin e Shijakut.

Finalistja e mundur e sezonit të shkuar, Skënderbeu, përballet me Veleçikun e Koplikut, Partizani me Tërbunin e Pukës, kurse Tirana ndeshet me Shkumbinin e Peqinit. Ndërkaq, midis çifteve të tjera spikatin duelet Besëlidhja e Lezhës-Burreli, Vora-Korabi i Peshkopisë, Flamurtari-Apolonia, Lushnja-Tomori i Beratit dhe Besa e Kavajës-Pogradeci. Të gjitha takimet e para, që zhvillohen të mërkurën, duke nisur nga ora 16:00, ndërsa ndeshjet e kthimit luhen të enjten e 14 tetorit 2021.

Kupa e Shqipërisë

Turi i 32-shes:

Të mërkurën, 22 shtator 2021:

Tërbuni Pukë - Partizani Tirana (16:00)

Shkumbini Peqin – Tirana  (16:00)

Veleçiku Koplik – Skënderbeu  (16:00)

Oriku - Bylis (16:00)

Erzeni Shijak - Dinamo (16:00)

Besëlidhja Lezhë - Burreli (16:00)

Vora - Korabi Peshkopi (16:00)

Butrinti Sarandë - Laçi (16:00)

Maliqi - Kukësi (16:00)

Elbasani – Kastrioti  (16:00)

Flamurtari – Apolonia  (16:00)

Turbina Cërrik - Egnatia Rrogozhinë  (16:00)

Lushnja - Tomori Berat  (16:00)

Besa Kavajë - Pogradeci                 (16:00)

Luzi 2008 – Teuta  (16:00)

Labëria – Vllaznia  (16:00)

Shënim:  Ndeshjet në vijim zhvillohen me sistem vajtje-ardhje.

                  Ndeshjet e kthimit luhen të enjten e 14 tetorit 2021