RTSH Sport Live

Kupa e Shqipërisë, të mërkurën hidhet shorti i çerekfinaleve

  • 19/02/2021
  • |
  • Futboll Vendi
Kupa e Shqipërisë, të mërkurën hidhet shorti i çerekfinaleve
Skuadrat e kualifikuara janë Korabi, Laçi, Teuta, Dinamo, Kukësi, Skënderbeu, Partizani e Vllaznia.

Veprimtaria e dytë e futbollit në vend, Kupa e Shqipërisë, ka mbërritur tanimë në fazën çerekfinale të saj dhe Federata Shqiptare e Futbollit ka bërë të ditur se shorti për këtë fazë do të hidhet ditën e mërkurë, më datë 24 shkurt, në ora 11:00.

Shorti do të hidhet në mjediset e Stadiumit “Arena Kombëtar”, në sallën e konferencave për shtyp dhe do të jetë i hapur për mediat, por në respektim të masave kufizuese të vendosura për shkak të epidemisë së “Covid-19”.

Interesant është fakti se nga 8 skuadrat e kualifikuara, 6 janë të nivelit më të lartë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, Kategorisë Superiore, ndërsa dy të nivelit të dytë, që njihet si Kategoria e parë. Skuadrat e kualifikuara për në fazën çerekfinale janë Korabi, Laçi, Teuta, Dinamo, Kukësi, Skënderbeu, Partizani dhe Vllaznia.

Nga shorti do të përcaktohen katër çiftet, ndërkohë që është parashikuar që ndeshjet e kësaj faze të luhen më 17 mars 2021. Siç është bërë tashmë e ditur, ndryshe nga sezoni i shkuar, skuadrat e kualifikuara do të përcaktohen me një ndeshje dhe jo me sistem vajtje-ardhjeje.