RTSH Sport Live

Kupa e Shqipërisë, të shtunën në “Feti Borova”

  • 07/03/2023
  • |
  • Sporte të tjera
Kupa e Shqipërisë, të shtunën në “Feti Borova”
Skënderbeu – Partizani dhe Tirana – Erzeni në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar

Kupa e Shqipërisë në volejboll rikthehet në ekranin e Radio Televizionit Shqiptar. Por jo vetëm kaq, por do të luhen në sallën olimpike “Feti Borova”, vendi i zakonshëm për trofetë e rrjetës kuqezi. Skuadrat kanë patur kohë të paktën një javë për t’u përgatitur, edhe sepse këto finale ishin parashikuar për t’u zhvilluar të dielën e kaluar në Farkë. Veçse u shtynë edhe sepse 5 marsi ishte shpallur Ditë Zie kombëtare nga kryeministri Edi Rama në kujtim të viktimave të përplasjes së trenave në Greqi.

Skënderbeu – Partizani është finalja e femrave, që në ora 16:00 do të vijë drejtpërsëdrejti në RTSH Sport, ndërsa korçaret, pasi kanë fituar Ligën “Gjergj Kastrioti”, kërkojnë Kupën e Shqipërisë pas 45 vitesh mungesë. Për herë të fundit në 1978, ndërsa një mundësi e humbën dhe sezonin e kaluar kur u mundën në finale 3-0 nga Tirana. Për Partizanin është diçka më e freskët, sepse vetëm përpara dy vitesh ishin fituesit e Kupës së Shqipërisë, teksa në finale mundën 3-0 Tiranën.

Për meshkuj Tirana – Erzeni do të jetë një “deja vu” e finales së vjetshme të Kupës së Shqipërisë, që u fitua nga bardheblutë e Arben Sakos, 3-1. Erzeni vjen pas fitores së Ligës “Gjergj Kastrioti” me Partizanin, 3-0, ndërsa finalja e meshkujve, që do të luhet në ora 19:00, do të vijë në transmetin në RTSH 2. E kështu e shtuna do të jetë për rrjetën shqiptare në Radio Televizionin Shqiptar.