RTSH Sport Live

Kupa e Spanjës, dy duele në RTSH Sport

  • 14/01/2022
  • |
  • Spanjë
Kupa e Spanjës, dy duele në RTSH Sport
Të shtunën, drejtpërdrejt Majorka - Espanjol (16:00) dhe Real Betis - Sevilja (21:30)

Pasi ka mbyllur mesjavën e shkuar turin e 32-shes duke njohur edhe skuadrat që janë kualifikuar për më tej, Kupa e Spanjës, që njihet ndryshe si Kupa e Mbretit, ka hedhur të premten edhe shortin e turit të 16-shes. Siç dihet, disa prej përballjeve më të spikatura kanë ardhur drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH Sport, ashtu siç do të vijojë edhe me turet në vijim. Dhe të shtunën, duke nisur nga ora 16:00, do të vijë për sportdashësit drejtpërdrejt takimi i parë, ku Majorka përballet me Espanjolin, në radhët e së cilës militon edhe futbollisti i Kombëtares kuqezi, Keidi Bare.

Po të shtunën luhen edhe 3 takime dhe Hirona do të sfidojë Rajo Vajekanon dhe Sporting Gihoni do të ndeshet me Kadizin. Ndërsa në mbrëmje, duke nisur nga ora 21:30, do të vijë drejtpërdrejt në RTSH Sport i mbiquajtur ndryshe si “El Gran Derbi” (Derbi i Madh), beteja midis dy rivaleve të qytetit, Betisit dhe Seviljes, një sfidë që do të luhet në Stadiumin “Benito Vijamarin”.

Të dyja skuadrat po paraqiten mjaft mirë këtë sezon, me Seviljen që mban vendin e dytë, me 41 pikë, 5 më pak sesa Reali kryesues dhe me Betisin që mban vendin e 3-të, 8 pikë prapa rivales qytetëse.

Të dielën luhet një tjetër takim dhe, duke nisur nga ora 12:00, një nga të papriturat e këtij edicioni, Atletiko Baleares, do të përballet me Valencian. Ndërkohë, 3 duelet e tjera, Real Sociedad-Atletiko e Madridit, Elçe-Reali i Madridit dhe Atletik Bilbao-Barcelona do të luhen të mërkurën e 19 janarit në mbrëmje.