RTSH Sport Live

Kupa e Spanjës, Majorka shkon në çerekfinale

  • 15/01/2022
  • |
  • Spanjë
Kupa e Spanjës, Majorka shkon në çerekfinale
Majorka mund 2-1 Espanjolin e Keidi Bares, takimi erdhi drejtpërdrejt në RTSH Sport

Kupa e Spanjës, që njihet ndryshe si Kupa e Mbretit, ka nisur të shtunën pasdite duelet e turit të 16-shes. Siç dihet, kjo veprimtari është një nga ekskluzivitetet sportive të Rrjetit të Radio-Televizionit Shqiptar, teksa disa prej përballjeve më të spikatura të turit të 32-shes kanë ardhur drejtpërdrejt në në kanalin RTSH Sport, ashtu siç do të ndodhë edhe me turet në vijim. Dhe të shtunën pasdite ka ardhur për sportdashësit drejtpërdrejt takimi i parë, ku Majorka është përballur me Espanjolin, në radhët e së cilës militon edhe futbollisti i Kombëtares kuqezi, Keidi Bare. Në fakt, fati i pjesës së parë të kësaj ndeshjeje është vendosur në minutën e 32-të, kur Takehasu Kubo ka ekzekutuar mjeshtërisht një goditje të lirë për vendasit, duke e mposhtur gardianin mik, Diego Lopez dhe duke përshëndetur rrjetën. 

Goli duket se e ka shtangur skuadrën e Espanjolit dhe Majorka e mbron epërsinë minimale dhe e mbyll në favor të saj 45-minutëshin e parë, duke vijuar ta nisë më mirë edhe atë të dytin. Por në minutën e 56-të, përkundër rrjedhës së lojës, është futbollisti i Kombëtares kuqezi, Keidi Bare që shpërdoron një mundësi të shkëlqyer për të barazuar shifrat për skuadrën mike, por godet pasaktësisht në kufinjtë e zonës, ndonëse në një pozicion të volitshëm. Dhe Espanjoli do të ndëshkohet shpejt për këtë shpërdorim, pasi pak minuta më pas, në të 60-tën minutë, Majorka do të gjejë një tjetër gol, duke dyfishuar shifrat.

Megjithatë, Espanjoli do ta gjejë golin vetëm dy minuta më pas, ndonëse për ta cilësuar atë të vlefshëm, janë dashur edhe disa minuta të tjera pas konsultimit të kryesorit me dhomën e Sistemit të Ndihmësgjyqtarit të Ndeshjes VAR.

Gjysmërora e mbetur e ndeshjes dhe 6 minuta shtesë kanë qenë të ethshme dhe të luftuara deri në fund dhe Majorka e mbron fitoren dhe bashkë me të edhe vendin në çerekfinale të Kupës së Spanjës, ndërsa Espanjoli i Keidi Bares, që e mbylli ndeshjen edhe me 10 lojtarë pas daljes me karton të kuq të Pedrozës, i thotë lamtumirë kësaj veprimtarie.