RTSH Sport Live

Kupa e Spanjës shpall fituesin e edicionit të kaluar, është Real Sociedad

  • 03/04/2021
  • |
  • Spanjë
Kupa e Spanjës shpall fituesin e edicionit të kaluar, është Real Sociedad
Real Sociedad mposhti 1-0 në finale Atletik të Bilbaos, takimi erdhi drejtpërdrejt në RTSH Sport

Veprimtaria e dytë e futbollit spanjoll, Kupa e Spanjës, e njohur ndryshe si Kupa e Mbretit, ka zhvilluar të shtunën në mbrëmje finalen e edicionit të saj të 118-të, ku përballë njëra-tjetrës janë vënë Atletik i Bilbaos dhe Real Sociedadi. Në fakt, kjo ishte finalja e sezonit të shkuar të kësaj veprimtarie, që duhej të zhvillohej më 18 prill të 2020-ës, por që, me miratimin e dy klubeve ishte shtyrë më datë 11 mars, për shkak të epidemisë së virusit “Covid-19”, por pa caktuar një datë të re.

Duke qenë se gjasat për ta zhvilluar këtë finale me tifozë janë thuajse inekzistente, të dy klubet dhe Federata Spanjolle e Futbollit ranë dakord për datën e re dhe ky duel i gjithi bask është zhvilluar në Stadiumin “La Kartuha” të Seviljes. Pjesa e parë e kësaj përballjeje, që është sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar në kanalin RTSH Sport, ka qenë kryesisht e baraspeshuar dhe është mbyllur me rrjeta të paprekura.

 Në pjesën e dytë, Real Sociedadi është më kërkues dhe fillimisht ka një pretendim për një 11-metërsh, pas një prekjeje me dorë që Sistemi i Ndihmësgjyqtarit të Videos (VAR) e ka cilësuar si jashtë zone. Por pas një ore lojë, Sociedadi e fitoi 11-metërshin, që këtë radhë është i dukshëm dhe madje lojtari i Bilbaos, Inigo Martinez ndëshkohet fillimisht me karton të kuq, por, pas konsultimit me sistemin VAR, kartoni shndërrohet në të verdhë. Është kapiteni Ojarzabal ai që ruan gjakftohtësinë dhe tregohet i saktë nga pika e bardhë.

Gjysmëora e mbetur e kohës së rregullt dhe 8 minutat shtesë nuk sjell gola të tjerë dhe, pas 350 ditësh vonesë, Kupa e Spanjës shpall fituesen e edicionit të shkuar dhe ajo është skuadra e Real Sociedadit, e cila e ka fituar kështu për herë të 3-të këtë trofe, duke triumfuar minimalisht ndaj Atletik të Bilbaos.