RTSH Sport Live

Kupa, Laçi me një këmbë në finale

  • 30/03/2022
  • |
  • Futboll Vendi
Kupa, Laçi me një këmbë në finale
Bardhezinjtë 'hidhërojnë' me fitoren 1-2 rikthimin e Teutës në 'Niko Dovana'

Nuk është akoma finale, por pas 90 minutave të para i është afruar edhe më shumë. Laçi përvetëson gjysëmfinalen e vajtjes së Kupës së Shqipërisë, duke ndëshkuar 1-2 Teutën, në përfundim të një ndeshje në të cilën të besuarit e Josës morën gjithçka që i takonte. Nuk e ndihmon Arapin as efekti “Niko Dovana”, në të cilën durrsakët zbritën për herë të parë pas rikonstruktimit, por e markuan me humbjen që u zbut vetëm në fund me golin e shënuar në shtesë dhe që i jep një lloj shprese për të mos dalë edhe nga objektivi i fundit i mbetur në një sezon për tu harruar.

Pas pesë ndeshjesh pa fitore në kampionat, pas të cilave u dorëzuan praktikisht për titullin, nuk kishte ndeshje më të duhur për të kthyer kursin. Laçi e ka kthyer vëmendjen te Kupa për një trofe dhe e vërtetoi që në minutën e gjashtë, kur mori avantazhin e shpejtë edhe me mungesën e dy prej protagonistëve absolutë të sezonit të tyre si Guindo, i thirrur nga Mali e Zarubica i dëmtuar. Skenën atëherë e mori Ujka me një goditje spektakolare nga distanca që i përtheu gishtat Qirkos dhe moralin Teutës.

Reagim nuk është se nuk pati, por ishte me forcën e zemërimit dhe nuk zgjati shumë. Qaqi në të 12’ dha iluzionin e golit duke goditur rrjetën e jashtme, ndërsa katër minuta më pas krosimi i Todorovskit ishte më i fortë se reagimi i Hebajt, që nuk arriti ta shtyjë në rrjetë. Laçi tentoi të kontrollonte e kundërsulmonte me Harmon, për herë të parë titullar në këtë sezon: kreativ filtri i tij për Deliun në minutën e 23-të, por mesfushori i kthyer pas dëmtimit nuk gjeti impaktin e duhur me topin.

Episodi i destinuar të krijojë polemika erdhi në të 39’ dhe mund të ndryshonte gjithçka, edhe pse në fund nuk bëri asgjë. Arbitri Yzeiraj akordoi penallti për Teutën, pas kontaktit mes Hebajt dhe Zikos, i ndëshkuar me të verdhë, por nga VAR i bënë shenjë se ka gabuar gjykimin, dhe pas kontrollit të imazheve arbitri anuloi vendimet, duke i dërguar skuadrat në dhomat e zhveshjes me kurbinasit në avantazh.

 Natyrisht që e dyta do të luhej ndryshe nga Teuta, që nisi menjëherë insistimin drejt portës së Dajsinanit dhe në të 47-ën Lorenco Vila dëshmoi se do të ishte një pjesë e vuajtur loje për njerëzit e Josës. Tekniku megjithatë nuhat lëvizjen me Adeleken, në fushë në të 49-ën e në gol 9 minuta më vonë. Sulmuesi shfrytëzoi asistin e Mazrekajt për të siguruar rezultatin.

Më shumë se për të kthyer ndeshjen, durrsakët provuan të mbahen në loje me një gol që u duk se nuk po vinte, edhe pas goditjes së Vilës së vogël në të 75’ që gjeti reagimin e Dajsinanit, që u përgjigj në zhvillimin e aksionit edhe ndaj Hykës e pastaj Hebajt, që i shkaktoi faull.

Laçi u tërhoq shumë me shpresën për ta mbyllur me avantazhin e dy golave që do të vlenin praktikisht finalen, por planet u prishën në të tretën shtesë kur devijimi në krosimin e Todorovskit përfundoi në rrjetën e Dajsinanit dhe tani në kthim avantazhi është i rëndësishëm, por minimal.