RTSH Sport Live

Kupat e Europës nuk i japin paqe skuadrave tona

  • 03/06/2023
  • |
  • Futboll Bota
Kupat e Europës nuk i japin paqe skuadrave tona
Partizani, Tirana, Egnatia e Vllaznia mësojnë kundërshtarët në 20 qershor

Ende pa u shuar mirë jehona e finales së Kupës së Shqipërisë, fituar nga egnatia 1-0 në shtesë përballë Tiranës, skuadrat e kualifikuara për në kompeticionet europiane duhet të nisin përgatitjet. Pak ditë pushim, e menjëherë mendja për të përmirësuar skuadrën për ndonjë, për të gjetur trajner apo edhe lojtarë për dikë tjetër. Kupat e Europës, me raundin e parë të Champions League ku do të marrë pjesë Partizani dhe raundin e parë të Conference League ku do të prezantohen Tirana, Egnatia e Vllaznia nuk japin paqe. Katër skuadrat e Superiores do të mësojnë kundërshtarët në shortin që do të hidhet në 20 qershor, edhe pse në datën 18 qershor do të kemi një ndarje më të qartë me pesë ekipet që do të jenë si kundërshtarë të mundshëm për Tiranën, Egnatian dhe Vllazninë në Conference, por edhe Partizanin në Champions.

Edicioni i 69 elitar për klubet, i 32 që kur ka ndryshuar emrin në UEFA Champions League, do të nisë me paraeleminatoret të martën e 27 qershorit 2023, me finalen në Wembley të programuar të shtunën e 1 qershorit 2024. Partizani do të zbresë në fushë në raundin e parë kualifikues në 11/12 korrik me ndeshjen e kthimit në 18/19 korrik 2023. Nëse të kuqtë ia dalin të kalojnë, i pret raundi i dytë në 25/26 korrik e kthimi në 1/2 gusht 2023. Raundi i tretë pastaj luhet në 8/9 dhe 15/16 gusht 2023, ndërsa Playoff në 22/23 dhe 29/30 gusht 2023, gjithnjë duke uruar që Partizani ta ketë një rrugëtim të tillë.

Tre të tjerët, Tirana, Egnatia e Vllaznia, në edicionin e tretë të UEFA Europa Conference League, do të zbresin në fushë në 13 korrik 2023, kur është programuar edhe raundi i parë kualifikues, me kthimin një javë më pas. Nëse kalojnë, raundi i dytë nuk vonon ti vërë në provë në 27 korrik e me kthimin në 3 gusht. Sipas kalendarit të përcaktuar, raundi i tretë do të luhet në 10 e 17 gusht, ndërsa Playoff në 24 e 31 gusht 2023. Në ndryshim me sezonin e shkuar kur Vllaznia si fituese e Kupës e nisi aventurën e saj nga turi i dytë në Conference League, këtë herë do t’i kemi të gjitha skuadrat që e nisin nga turi i parë.